Trajneri i Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior, ka zhvilluar një intervistë për UEFA-n, ku ka rrëfyer si nisi projekti me Shqipërinë, mentalitetin që mundohet t’u përcjellë lojtarëve së bashku me Zabaletën dhe Dorivën, ambiciet në Euro 2024 dhe çfarë ka të përbashkët vendi ynë me Sao Paulon, vendlindjen e tij.
Përsa i përket finaleve të “EURO 2024” trajneri Silvinjo tha se të gjithë së bashku po punojnë shumë për të arritur rezultate të mira në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.
Propozimi i Shqipërisë – “Ishte si një martesë, një zgjedhje e ndërsjellë. Më pëlqeu shumë projekti, u interesuan për ne si staf teknik, me Dorivën dhe Zabaletën: të rinj që kanë shumë dëshirë për të bërë mirë.
Në Shqipëri flasin shumë italisht. Kuptova se mund të kaloja mirë mes italishtes dhe anglishtes. Shqiptarët e vlerësojnë futbollin teknik, me lojtarë që bëjnë lojëra të shkëlqyera. Ata e pëlqejnë futbollin e mirë, kështu që më dha vetëdijen për të thënë: “Po, mund të punoj shumë mirë këtu”.
Jemi amerikano-jugor, por edhe shumë europianë. Pablo kaloi dhjetë vjet në Premier League. Kam luajtur edhe pak në Premier League, në Spanjë për një kohë të gjatë; në Itali kam punuar me Roberto Mancinin. Doriva luajti në Itali dhe Portugali. Ekipi ynë është multikulturor”.
Ambiciet për finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” – “Për të qenë i sinqertë është e mrekullueshme. Të gjithë kemi bërë një punë të shkëlqyer. Përveç Pablos dhe Dorivës, ka shumë staf dhe njerëz nga federata që punojnë shumë.
Të gjitha këto i bëjmë bashkë. Bëmë diçka të jashtëzakonshme: arritëm në EURO. Ndjesitë që mbizotërojnë janë entuziazmi dhe lumturia. Kemi arritur deri këtu, i dimë aftësitë tona, po përmirësohemi.
Do të jetë një sfidë e vërtetë. Çfarëdo që të ndodhë, ne do të punojmë shumë. Ndeshjet do të jenë fantastike, por të vështira dhe nëse arrijmë të mposhtim kundërshtarët tanë, do të dëshirojmë të vazhdojmë në atë rrugë. Po bëjmë mirë, por nëse mund të bëjmë një hap përpara do të jetë edhe më mirë” – tha trajneri Silvinjo për UEFA-n.
Kristjan Asllanin dhe Jasir Asani – “Kristjan është një lojtar shumë i talentuar teknikisht, shumë i mirë me të dyja këmbët. Ai është i aftë të luajë në të dyja krahët. Ai është teknik, i ri dhe po bën rrugën e tij.
Ai ka ende shumë për të mësuar, si çdo lojtar 21 apo 22 vjeçar. Është shumë i fortë, për nga teknika por edhe për nga personaliteti. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm.
Ne zgjodhëm Asanin në Korenë e Jugut. Ai është një lojtar me këmbë të majtë që luan në të djathtë dhe pret brenda, gjë që na pëlqen. Ai shënon gola të rëndësishëm, si ato kundër Polonisë dhe Moldavisë. Një lojtar me cilësi të madhe, me një gjuajtje të fuqishme nga distanca. Ai po jep maksimumin në kombëtare”.







