Taulant Stërmasi zgjidhet në krye të atletikës shqiptare pas dënimit që morën Ruli e Dionisi

19 Maj 2023
12:58
Telesport
back button

Taulant Stërmasi është zgjedhur sot në krye të Federatës Shqiptare të Atletikës, në përfundim të Aasamblesë së Jashtëzakonshme të zhvilluar në kryeqytet. Trajneri i mirënjohur do të drejtojë atletikën shqiptare deri në përfundimin e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, kur dhe mbyllet cikli olimpik.

Në garën për postin e presidentit të FSHA-së ishin edhe Artan Shyti e Ferdinand Canaj. Ky i fundit mbante këtë post pas pezullimit që Federata Ndërkombëtare e Atletikës i pat bërë dy drejtuesve të mëparshëm, Gjergj Ruli e Nikolin Dionisi, për manipulim të rezultateve.

Gjithsesi, Canaj e Shyti nuk arritën dot të fitojnë garën me Stërmasi. Në fakt, u bënë dy votime. Në të parin, Stërmasi mori 8 vota, Canaj 6 e Shyti 3 vota, duke bërë që dy më të votuarit të shkojnë në balotazh. Në votimin e dytë, Taulant Stërmasi mori 10 vota e Ferndinand Canaj 7 vota.

Në këtë Asamble të jashtëzakonshme morën pjesë të gjitha klubet e licensuara pranë atletikës shqiptare. Stërmasi është një nga trajnerët më të suksesshëm të atletikës shqiptare, “truri” i sukseseve të Luiza Gegës e mjaft atleteve të reja. Ai u shpreh se do të japë maksimumin për këtë sport në detyrën e re.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit