Paragjykimet ishin të njëjta për të dy: “Goditje e madhe, por…”, “Serie A është varrezë e elefantëve”, “Të mirë, por në çfarë gjendje janë?” Megjithatë, Luka Modric dhe Kevin De Bruyne po e rrëzojnë çdo dyshim me lojën e tyre. Allegri nuk e heq kurrë kroatin nga formacioni, edhe pse supozohej të luante vetëm 20 minuta. Conte e ka bërë De Bruyne, të kritikuar për peshën e tepërt, “zemrën” e Napolit të tij.
Rezultati? Futboll spektakolar, pasime të sakta, vertikalizime, lexime të jashtëzakonshme loje. “Modric e di një minutë më herët ku do shkojë topi”, – thotë Allegri. Belgu, në 4 ndeshje ka shënuar 2 gola. Pa ndëshkimin e Di Lorenzos me të kuq në Manchester, Napoli ndoshta do të kishte pasur tjetër histori.
Ndikimi i tyre është i pakundërshtueshëm: krijojnë hapësira, luftojnë, gjuajnë dhe përcillen në fushë mes duartrokitjesh. Ricci te Milani mëson çdo ditë nga Modric, ndërsa McTominay u përshtat për t’i bërë vend De Bruyne.
Thonin “janë të vjetër, kanë ardhur për të pushuar”, por realiteti është i kundërt. Serie A kishte nevojë për dy fenomene të tilla. Tani, Milani dhe Napoli, Allegri dhe Conte, po e ndërtojnë garën e titullit rreth tyre. Të dielën, në “San Siro”, sytë do të jenë vetëm mbi ta.







