Fushata kualifikuese e kombëtares sonë të futbollit për Botërorin 2026 do të fillojë së shpejti, më sfidën në “Wembley”, ndaj Anglisë. Megjithatë, duket se gjërat nuk shkojnë kaq “vaj” sa terumbetohet e thuhet, me prezantime uniformash të reja etj. Sa i takon të ashtuquajturit “lojtar i 12-të”, më i miri për kombëtaren shqiptare ndër vite, brenda dhe jashtë vendit, kudo që kanë luajtur kuqezinjtë tanë, ka shqetësime serioze. Të cilat “Tifozat Kuq e Zi” i kanë bërë publike sot, përmes një reagimi në faqet e tyre zyrtare:
“Të nderuar anëtarë,
Si asnjëherë më parë në këto 21 vite veprimtari të ‘Tifozave Kuq e Zi’, jemi lënë pa bileta për ndeshjet e kombëtares. Në këto 21 vite, jo rrallëherë TKZ përbënte njerëzit e vetëm që rrinin në shkallët e stadiumit, kur nuk kishte kushte, kur nuk kishte rezultate, ku nuk kishte stadium, ku nuk kishte tifozë, pasi atëbotë përkrahja e kombëtares konsiderohej marrëzi.
Nëse ekipi kombëtar i futbollit ka pasur një aryse të mos ndihet inferior edhe kur humbja ka qenë e prenotuar, është sepse ‘Tifozat Kuq e Zi’ kanë qenë gjithnjë aty. Janë ndërruar trajnerë, lojtarë e stadiume, ndërsa të vetmit që kanë qenë të përhershëm pranë ekipit kombëtar kanë qenë ‘Tifozat Kuq e Zi’.
Tani në vitin 2025, kur jemi kualifikuar dy herë në Europian, dhe kur ekipi kombëtar ka nisur të korrë rezultate, e këssisoj edhe rritjen e kërkesës për bileta, jemi penalizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Përmes një emaili që kemi pranuar, pas disa insistimesh, nga ana e zyrtarëve të FSHF-së jemi njoftuar se nuk do të ketë bileta të pararezervuara sikurse ka ndodhur në këto 21 vite, me arsyetimin se dëshirojnë gjithëpërfshirje dhe mundësi edhe për ata që nuk janë pjesë e grupeve tifozerike.

Ky arsyetim përveçse nuk qëndron, nuk është as i sinqertë dhe për më tepër është hakmarrje tipike nga ana e FSHF-së për kundërshtimet tona ndaj organizimit të kampionatit të përbashkët me shkije dhe kur dihet që këta të fundit i kemi edhe në grup, në kualifikueset për botëror.
Pra, me gjithëpërfshirjen e saj FSHF-ja nuk mendoi kur nxori biletat me çmimet e kripura që tejkalojnë edhe çmimin e biletave për finalet e ‘EURO 2024’. Për ironi, me gjithëpërfshirje nuk mendoi as kur bëri thirrje për anëtarësim tek klubi i tifozave, organizem ky i FSHF-së, e që doli me ofertë për “biletë të garantuar” për anëtarët e këtij klubi.
Nuk mendoi as për standartin e shqiptarit të rëndomtë, por togfjalëshin “gjithpërfshirje” e përdori për të sulmuar dhe u hakmarrë ndaj TKZ-së, që nuk nënshtrohet, nuk i bindet, kjo pasi tribuna jonë është ‘SOLD OUT’, ndërsa tribunat e tjera ngelen akoma bosh. FSHF po bën të njëjtat gabime dhe mendon se do të ketë rezultat të ndryshëm, por po gabohet rëndë.
Stadiumin dhe përkrahjen ndaj ekipit kombëtar, TKZ-së nuk mund t’ia ndalojë askush, as FSHF-ja. NE do të jemi të pranishëm aty, do të jemi në Uembli, do të jemi gjithkund për të dhënë mendimin tonë, për të shprehur pakënaqësitë tona. Reagimet tona nuk do të ndalen, ato veçse do të intensifikohen dhe kushdo që gënjehet për të kundërtën, me keqardhje, por do të zhgënjehet keq.
Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!”







