Tirana zhytet në fund, mposhtet edhe nga Vora. 4 ndeshje në Kategorinë e Parë: Korabi, Lushnja dhe Kastrioti fitojnë në shtëpi

8 Nëntor 2025
15:59
Telesport
back button

Tirana ka pësuar humbjen e katërt rresht, këtë herë është mposhtur 0-2 nga Vora, në ndeshjen e luajtur në “Selman Stërmasi”, e vlefshme për javën e 11-të. Në stadium kishte shumë pak tifozë bardheblu, të zhgënjyer nga gjendja aktuale e ekipit të tyre.

Vora e drejtuar nga Arian Bellai gjeti avantazhin që në minutën e 11-të, ku Patrik Bardhi pasi përfitoi një top nga mungesa e vëmendjes së spanjollit Victor Fernandez, e dërgoi atë në rrjetë më një goditje në kufijtë e zonës së rreptësisë.

Në minutën e 30-të, Kleandro Lleshi shkakton faull brenda zonës ndaj nigerianit Adeloye, arbitri jep 11-metërsh. Godet Irigi Kasalla, topi përfundon në rrjetë. Tafas në njërën anë dhe topi në anën tjetër. Pjesa e parë mbyllet 0-2 për Vorën.

Në minutën e 60-të, gjeorgjiani i futur në pjesën e dytë, Tsotne Patsatsia, pretendon për një penallti në zonë, për kontakt me Kasallën, por arbitri e ndëshkon sulmuesin bardheblu me karton të verdhë për simulim. Rezultati final 0-2. Tirana e drejtuar nga Ardian Nuhiu zhytet në fund me 6 pikë në 11 ndeshje, Vora renditet në vendin e gjashtë me 14 pikë.

Janë luajtur edhe 4 ndeshje në Kategorinë e Parë, ku Kastrioti fitoi në shtëpi 3-1 ndaj Luftëtarit. Korabi fitoi 1-0 në fushën e vetë ndaj Kukësit. Lushnja fitoi 1-0 në frymën e fundit ndaj Ilirisë. Në ndeshjen tjetër, Besa barazoi pa gola ndaj Laçit

Java e 11-të në Kategorinë e Parë mbyllet nesër me sfidën Apolonia-Skënderbeu.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit