Drejtuesi sportiv Walter Sabatini, në një intervistë për të përditshmen italiane “Il Mattino”, komentoi garën për titull mes Napolit dhe Interit, duke shprehur bindjen se gjithçka do të vendoset në javën e fundit: “Besoj se titulli do të vendoset në javën e fundit. Parma nuk do të jetë një shëtitje për Napolin.
Ndërkohë, Interi do të përballet me Lazion, rrezikon seriozisht të mos fitojë. Lazio, në ditën e saj më të mirë, është shumë e vështirë për t’u mposhtur. Do të jenë dy ndeshje që të trondisin, qoftë nëse je tifoz, qoftë drejtues i këtyre skuadrave”.
Sabatini komentoi edhe dy trajnerët në garë, Conte dhe Inzaghi: “Conte nuk ka nevojë për komentet e mia. Napoli ka bërë tashmë një mrekulli sportive falë tij dhe, siç e thotë me të drejtë ai vetë, skuadra është kryesuese prej kohësh. Po ta krahasosh me mënyrën si përfundoi sezoni i kaluar, meritat janë akoma më të mëdha. Nëse do të isha lojtar i Napolit, nuk do të isha i qetë, por objektivi i besueshmërisë dhe dinjitetit është arritur me kohë. Edhe pse, dinjiteti nuk të futet në CV…
Inzaghi është një trajner i shkëlqyer. Më habisin ata njerëz që ende kanë dyshime mbi të. Para se të shkonte tek Interi, ai pati 5 vite të rëndësishme te Lazio. Tani është bërë shumë i pjekur dhe i vetëdijshëm. Di si ta menaxhojë grupin dhe t’i shfrytëzojë cilësitë individuale në kuadër të skuadrës. Është një menaxher i shkëlqyer i dhomës së zhveshjes. Arrin t’i mbajë të gjithë të motivuar dhe kjo është një cilësi themelore”.
Në fund, një koment për Lautaro Martínez: “Lautaro është lideri i këtij Interi. Nuk ekziston skuadër që fiton pa një kampion ose ‘hero’. Çdo ekip ka pasur ‘heroin’ e vet kur ka fituar: Rivera te Milani, Platinì te Juventusi, Maradona te Napoli. Sot, është Lautaro ai që e përfaqëson këtë figurë tek Interi”.







