Thomas Tuchel, trajneri i Anglisë, ka folur hapur për të ardhmen e Trent Alexander-Arnold dhe Jobe Bellingham në kuadër të Botërorit 2026. Tekniku gjerman theksoi se, pavarësisht transferimit veror të Alexander-Arnold nga Liverpool-i te Real Madridi, mbrojtësi i djathtë do të duhet ta fitojë vendin mes të grumbulluarve me paraqitje të nivelit të lartë.
“Si çdo lojtar tjetër, duhet të jetë konkurrues, të luajë dhe ta meritojë vendin e tij në kombëtare. Talenti nuk mjafton, – tha Tuchel, i cili pranoi vështirësitë e fundit të lojtarit të lindur në vitin 1998, që deri tani është aktivizuar shumë pak në ndeshjet e fundit të përfaqësueses. – Trent është një lojtar special, e dimë çfarë mund të japë. Nëse arrin formën e tij më të mirë, gjithmonë do të jetë në garë për një ftesë”.
Tuchel komentoi gjithashtu edhe për Jobe Bellingham, vëllai më i vogël i Jude Bellingham, i transferuar te Borussia Dortmund nga Sunderland për rreth 28 milionë paundë.
“Funksionon mirë kjo gjë në familjen e tij, – tha me humor Tuchel, duke lënë të hapur mundësinë që ta shohim edhe atë me fanellën e Anglisë. – Sezoni i Botërorit nis në gusht. Nëse do të jetë konkurrues, sigurisht që do të merret në konsideratë”.







