Pak muaj pasi deklaroi tërheqjen e tij nga boksi, britaniku Tyson Fury mund të rikthehet sërish në ring. 36-vjeçari publikoi një video në mediat sociale të hënën, së bashku me ish-trajnerin SugarHill Steward, duke paralajmëruar se një rikthim në boks mund të jetë në plan këtë vit.
Fury u tërhoq nga boksi në janar pas humbjes së revanshit ndaj Oleksandr Usyk, por këtë gjë e kishte deklaruar edhe më parë (në 4 raste të tjera), për t’u rikthyer muaj më vonë. Dhe ky skenar mund të përsëritet edhe këtë herë, për të pestën herë.
“Sapo përfundova stërvitjen në palestër. Rastësisht hasa dikë që mund ta njihni“, komenton Fury, duke e kthyer kamerën nga trajneri Steward, i cili u përgjigj: “E di sa është ora? E di çfarë do të vijë?”. Deklarata që lënë hapur mundësinë e rikthimit të Tyson Fury në ring.
Kjo deklaratë e Fury erdhi disa orë pasi ndeshja e Daniel Dubois dhe Oleksandr Usyk, në stadiumin Wembley, u konfirmua për 19 korrik. Fury mund të synojë një duel me patriotin e tij Anthony Joshua këtë vit. “Nëse ai do të donte të kthehej, kjo do të ishte zgjedhja e tij,” tha Frank Warren, promotori i Fury.







