Vinicius: Nëse ka ende raste racizmi në Spanjë, t’i hiqet e drejta e zhvillimit të Botërorit 2030

5 Shtator 2024
9:08
Alfred Lleshi
back button

Deklarata shumë të forta, që me siguri do të shkaktojnë diskutim. Vinícius Jr. deklaroi se do të ishte e përshtatshme t’i hiqej organizimi i Kupës së Botës 2030 mikpritësve si Spanja, Portugalia dhe Maroku. Shkaku? Nëse vendi iberik nuk arrin të evoluojë në lidhje me çështjen e racizmit.

“Shpresoj që Spanja të mund të evoluojë dhe të kuptojë sa serioze është të fyesh një person për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij. Nëse gjërat nuk përmirësohen deri në vitin 2030, mendoj se duhet të ndryshojmë vendin e zhvillimit të Kupës së Botës, sepse lojtarët nuk do të jenë rehat në një vend ku mund të përjetojnë racizëm”, – tha ai në një intervistë për CNN.

Në këtë kuptim ai shpreson se do të bëhet gjithçka e mundur që gjërat të mund të ndryshojnë: “Shumë njerëz në Spanjë, shumica, nuk janë racistë. Gjithsesi ka një grup të vogël njerëzish që përfundon duke ndikuar shumë në imazhin e një vendi, në të cilin jeton. Më pëlqen të jem këtu, më pëlqen të luaj për Real Madridin, por do të doja të kisha kushtet më të mira për të jetuar me familjen time”.

Vinicius siguroi gjithashtu se ai dhe shokët e tij të skuadrës do të largohen nga fusha nëse dëgjojnë fyerje raciste këtë sezon: “Në klub tani flitet më shumë, njerëzit janë më të hapur për të folur për këtë problem. Nuk jam vetëm unë. Të gjithë lojtarët kanë thënë se do të largohen nga fusha nëse do të ndodhë përsëri. Të gjithë ata që na shajnë do të duhet të paguajnë shumë që gjërat të ndryshojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit