Historia mes Juventusit dhe Dusan Vlahović nuk duket se do të përfundojë shpejt dhe as në mënyrë pozitive. I lënë jashtë projektit teknik, klubi po përpiqet ta shesë për të kursyer pagën e lartë, por sulmuesi serb nuk pranon asnjë ofertë; as rinovim me ulje page, as huazim, as transferim të plotë.
Sipas “Tuttosport”, kontrata e tij me shifra rekord është pengesë e madhe. Në vitin e fundit, kostoja arrin në 15 milionë neto (23 milionë bruto), ndërsa vetëm nga korriku deri sot ka fituar 2.7 milionë euro. Duke qenë se kontributi në fushë nuk ka qenë i madh, barra për Juventusin është edhe më e rëndë.
Prej kohësh merr kritika nga tifozët, teksa rrezikon të mbetet jashtë skuadrës deri në fund të sezonit, nëse nuk gjendet zgjidhje. Klubi synon shitjen përfundimtare ose huazim, por mundësia e rinovimit me ulje page për të shmangur largimin falas verën e ardhshme është thuajse hequr nga tryeza.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, opsioni i fundit është që ai të mbetet “i ndarë nën të njëjtën çati”, pasi paga e lartë e bën të pamundur që ndonjë klub tjetër të plotësojë kërkesat e serbit pa ulje. Në këtë rast, drejtuesit do të duhet të sigurojnë të ardhurat për merkaton nga shitje të tjera, me objektivin për të rikthyer Kolo Muani.







