Vllaznia e Pogradeci reagojnë dhe saktësojnë se dyshojnë për doping: Nuk kërkuam kurrë në Federatë një test gjinie

29 Tetor 2025
15:00
Telesport
back button

Çështja e ditëve të fundit që ka shpërthyer në sportin shqiptar në lidhje me volejbollisten braziliane Nayara Ferreria, që luan në Superligë me ekipin e Dinamos, ka marrë sot një rrjedhë tjetër.

Ajo është pezulluar pa afat nga Federata Shqiptare e Volejbollit, pas dyshimeve që dy klube, më saktësisht Pogradeci e Vllaznia, kanë ngritur në lidhje me lojtaren. Këto dy klube, përmes postimeve në rrjetet sociale, kanë saktësuar se nuk kanë kërkuar asnjë test gjinie, por një kontroll apo test fiziologjik.

Dyshimi i këtyre dy klubeve është se Ferreira mund të përdorë substanca të ndaluara (doping), përfshi edhe ato që sjellin rritjen e hormoneve. Sipas tyre, kjo do të sillte një rritje të perfomancës së lojtares dhe një konkurrim në kushte te pabarabarta.

Këtë gjë e ka konfrimuar Aleksandër Leqejza, administratori i ekipit të Vllaznisë në volejboll, që thotë: “Vllaznia ka kërkuar një test fiziologjik që është një test i përgjithshëm mjekësor dhe jo një test biologjik që lidhet me gjininë. Vllaznia dënon sulmet ndaj volejbollistes së Dinamos dhe denigrimin e saj dhe solidarizohet me situatën e vështirë që po kalon”.

Ndërsa Dorian Latifllari, drejtori i qendrës multifunksionale të Pogradecit, shprehet: “Ne kemi ngritur një çështje sportive. I kërkuam FSHV të bëjë një analizë specifike për këtë lojtare nëse është e përshtatshme të luajë në këtë kategori. Kam parasysh që mund të kemi përdorimin e substancave, të cilat janë të ndaluara nga rregullohet e Federatave ndërkombëtare sportive, apo për terapi të ndryshme hormonale”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit