Lamine Yamal është gati të mbushë 18 vjeç. Kjo do të ndodhë më 13 korrik, ndërkohë që ai e ka mahnitur botën e futbollit prej disa vitesh tashmë. Në dokumentarin “Inside Barça”, ylli spanjoll ka folur kështu për dëshirat e tij për ditëlindjen, siç raporton “MARCA”:
“18 vjeç kërkoj gjithçka që kam kërkuar në moshën 16 dhe 17-vjeçare, plus trofetë që më mungojnë, Champions League dhe Kupën e Botës. Nuk mendoj edhe sa vite kam ende për të luajtur, dua të fitoj tani. Iu them tifozëve të Barçës që do të luftojmë dhe se Champions League do të kthehet me siguri në shtëpi”.
Përpara tij duket një e ardhme e ndritur dhe Yamal është i vetëdijshëm për këtë: “Falë moshës sime, do të përmirësohem çdo vit, sepse trupi im do të rritet dhe diferenca me kundërshtarët e tjerë do të jetë më e dukshme. Do të ndihem më rehat në fushë”.
Më pas foli edhe për Superkupën e fituar ndaj Real Madrid, këtë vit: “Ta humbisnim atë finale në fillim të vitit kundër rivalit tonë kryesor do të kishte qenë e vështirë, por ta fitonim ishte shumë pozitive për ekipin. Të shënosh kundër Real Madridit është gjithmonë diçka e veçantë, diçka që e ëndërron që kur je fëmijë.
Kjo skuadër është shumë konkurruese, e kemi treguar. Në ‘El Clásico’ ke gjithmonë më shumë motivim, i mbajtëm madrilenët për 25 minuta pa e prekur topin në gjysmën tonë të fushës. Në ‘Camp Nou’ do të jetë edhe më e lehtë për njerëzit të vijnë dhe të shijojnë ndeshjet tona”.







