Zanetti i uron mirëseardhjen Chivu: Ekzistojnë të gjitha kushtet për të bërë mirë tek Interi

9 Qershor 2025
10:44
Alfred Lleshi
back button

Me përfundimin e epokës së Simone Inzaghit si trajner, Interi ka kthyer faqe dhe është gati t’ia nisë nga e para. Klubi ka zgjedhur të vazhdojë përpara me një trajner të ri në moshë, por në ngritje; Cristian Chivu.

Pas 13 ndeshjeve në krye të Parmës, rumuni, i formuar si trajner në akademinë e të rinjve të Interit, do të marrë drejtimin e skuadrës zikaltër që në Kupën e Botës për Klube. Atij i ka uruar mirëseardhjen zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti:

“Ndryshimin në pankinë e shoh gjithmonë me pozitivitet, le të shikojmë përpara. Kemi zgjedhur me bindje një trajner që e njeh mirë ambientin dhe është interist, ekzistojnë të gjitha kushtet për të bërë mirë”.

Ndërkohë që tifozët zikaltër dhe jo vetëm pyesin se si do të luajë Interi me drejtuesin e ri taktik, Zanetti shfaqet i qetë dhe i sigurt për zgjedhjen e bërë nga klubi: “Chivu është një djalë i mirë, ka shumë personalitet dhe e njeh më së miri ambientin dhe atë që duan tifozët zikaltër. Ai sjell me vete një ndjenjë të fortë përkatësie, rreth tij të gjithë do të mund të bëjmë gjëra të shkëlqyera”.

Hapat e parë do të jenë në merkato: “Do të bëjmë ç’është e mundur për t’i dhënë Chivu një skuadër shumë konkurruese. Do të flasim me trajnerin për të parë nevojat e tij, por këto janë qëllimet”.

Në fund, një mendim edhe për shkarkimin e Spallettit: “Më vjen keq, e di sa shumë donte të bënte mirë me Italinë. Shpresoj që axurrët të arrijnë të kualifikohen në Botëror”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit