Zanetti: Nuk besoj se Interi është i lodhur, ka momente kur mendon vetëm për rezultatin

30 Maj 2025
11:55
Alfred Lleshi
back button

Si fitohet një Champions League? Pyetje e vështirë, por Javier Zanetti e ka përgjigjen. Zv.presidenti i Interit, që fitoi tripletën sezonale me zikaltërit në vitin 2010, shpjegoi për “Il Giorno” pse nuk mund të të rëndojë ideja se gjithçka luhet në një natë të vetme: “Nuk besoj se Interi është i lodhur. Kjo është një skuadër që argëtohet dhe luan futboll, është kënaqësi ta shohësh. Me Interin tim 2010, pas golit të parë në finale e mbyllëm ndeshjen, e menaxhuam me kujdes. Ky do të jetë aspekt thelbësor edhe në sfidën e Mynihut”.

A mund të hiqni paralele mes Interit tuaj të tripletës dhe këtij aktualit?
Interi im ishte shumë i fortë, por edhe kjo skuadër është e tillë, sepse nuk arrin dot në finale rastësisht, pasi ke eliminuar Bayern Munich dhe Barcelonën. Nëse flasim për ditët para finales, atëherë ne ishim plot adrenalinë, pasi kishim fituar titullin dhe Kupën e Italisë. Këtë herë, trajneri dhe lojtarët duhet të përballen me zhgënjimin e titullit, që iu rrëshqiti nga duart. Është për të ardhur keq.

A mund të ketë pasoja humbja e kampionatit?
Jo, nuk besoj. Djemtë janë shumë të motivuar. Për fat të keq ndodhën shumë gjëra në fundin e kampionatit, ndoshta humbja në rikuperimin ndaj Bologna ishte vendimtare, por tani duhet optimizëm. Skuadra beson, do të jetë një ndeshje shumë e ekuilibruar, shpresojmë në një fund të lumtur. Duhet vetëm ta lavdërojmë këtë grup lojtarësh, që ka arritur dy finale Champions-i në tri vite.

A ekziston edhe dëshira për ta shlyer finalen e Stambollit?
Sigurisht. Edhe në vitin 2023, në Stamboll, e meritonim ne fitoren: Ishim ‘outsider’, por e bëmë të vuante Manchester City. Na ka mbetur peng ajo finale, sepse luajtëm me guxim dhe krijuam shumë raste. Këtë herë mund të përsërisim të njëjtën paraqitje ndaj PSG-së.

Mentaliteti juaj si klub është gjithnjë e më shumë europian…
Nuk ka dyshime për këtë, por ka momente kur duhet të mendosh vetëm për rezultatin. A e patë Barcelonën në Milano, kur ishim në avantazh 3-2? Të gjithë katalanasit u hodhën në sulm dhe dolën jashtë detyrave, sepse deshën të sulmonin deri në fund. Në kohën time, lojtarë si Piqué dhe Puyol nuk do na lejonin të afroheshim fare te porta e tyre…

Lautaro Martinez është lojtari nga i cili tifozët e Interit presin shumë…
Tani është shumë mirë, pas një dëmtimi të vogël që e detyroi të ngadalësonte në javët e fundit. Para gjysmëfinales me Barcelonën kaloi një javë të tmerrshme, sepse nuk dinte nëse do t’ia dilte. Pas ndeshjes po qante, duke treguar se ka një zemër të madhe dhe lidhje të sinqertë me fanellën. Donte të luante me çdo kusht, bëri një punë fantastike. Ai është kapiteni dhe shembulli ynë, ka një ‘garra’ (grintë) unike.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit