Ditët e fundit, Fenerbahçe ka tentuar të thyejë ekuilibrat në futbollin turk, duke zyrtarizuar marrjen e Jose Mourinho si trajner të ri. “Special One”, i cili u largua nga Roma në janar, ngjalli menjëherë emocione te tifozët e ekipit të Stambollit.
Ndaj, nuk është rastësi që thashethemet më të ndryshme të transferimeve janë lëshuar që nga ardhja e tij në tokën turke. Ndërkohë, klubi turk ka paraqitur, sipas detyrimeve të ligjit në fuqi në këtë vend, kontratën, që përmban të gjithë shifrat.
Për Mourinho, klubi turk nuk është kursyer, duke i garantuar një kontratë dyvjeçare dhe në total portugezi do të arkëtojë 21 milionë euro. Shumë e cila, e ndarë sipas sezonit, do të thotë 10.5 milionë euro në vit.
Për sa i përket merkatos, vetë portugezi sqaroi: “Dua të jem i qartë, nuk kam diskutuar me askënd si transferim, dua të shoh projektin dhe stabilitetin. Me klubin folëm për profile, jo për emra. Nuk kam asnjë interes për asnjë lojtar nga klubet e mia të mëparshme”.
“Nuk jam i interesuar për asnjë lojtar të Romës. Jam i sigurt se do të ndërtojmë një ekip shumë të fortë për të realizuar ëndrrat e tifozëve të Fenerbahçes. Kultura këtu është pak më ndryshe, ka spekulime. Kam dëgjuar që dua Lukakun, Dybala. Nuk i dua këta lojtarë”, tha Mourinho.







