Zhang hedh “KO” Wilder në ring, Dubois merr titullin e përkohshëm IBF pas triumfit me Hrgovic

2 Qershor 2024
9:45
Telesport
back button

Në Riad të Arabisë Saudite u zhvilluan dy duele të mëdha në peshën e rëndë në boks, në atë që konsiderohej si përballja mes kompanive të Matchroom dhe Queensberry në sportin e dorezave.

Boksieri kinez Zhilei Zhang mundi me KO në raundin e pestë Deontay Wilder, duke i dhënë praktikisht fund karrierës së ish-kampionit të botës. Një duel deri në ato momente i hapur, por një e djathtë e kinezit hutoi Wilder, që më pas mori edhe goditjen e KO, duke u rrëzuar në tapet.

Për Wilder kjo është humbja e katërt në pesë sfidat e fundit (43 fitore, 4 humbje e 1 barazim në karrierë), ndërkohë që Zhang (27 fitore, 2 humbje e 1 barazim) pritet të jetë rivali i radhës i Anthony Joshua.

Fitore me KO teknik në raundin e tetë arriti edhe britaniku Daniel Dubois, që mundi kroatin Filip Hrgovic. Dy boksierët duelonin për titullin e përkohshëm në kategorinë IBF, titull që tashmë i shkon Dubois e ka të drejtën të përballet me Usyk.

Ishte gjyqtari ai që ndali duelin, pasi Hrgovic ishte dëmtuar rëndë në fytyrë. Gjyqtari u këshillua më mjekun, që pasi pa të çarat e kroatit në fytyrë vendosi ta ndalë sfidën, duke i dhënë kështu fitoren boksierit britanik.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit