Zlatan Ibrahimovic ka komentuar eliminimin e Francës nga Kupa e Botës, pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës, duke e cilësuar Zinedine Zidane si njeriun ideal për të marrë drejtimin e “Les Bleus”.
Ish-sulmuesi suedez, tashmë analist në “Fox Sports”, vlerësoi punën e Zidane te Real Madridi: “Ka bërë një punë të jashtëzakonshme, duke fituar tre Champions League. Besoj se ai thjesht do të vazhdojë atë që ka ndërtuar Deschamps. Nuk është e vështirë të zgjedhësh lojtarët, sepse Franca i ka tashmë. Mbi të gjitha, ai duhet të transmetojë mënyrën e tij të menaxhimit të grupit. Kjo skuadër nuk ka nevojë për një trajner, por për një menaxher”.
Ibrahimovic analizoi edhe paraqitjen e Francës në gjysmëfinale: “Gjatë ndeshjes mund të bëhej diçka ndryshe. Ky është misioni më i vështirë i një trajneri, të kuptojë se kur duhet të ndërhyjë. Kisha ndjesinë se lojtarët francezë nuk ishin të gjallë, nuk ishin mjaftueshëm aktivë. Kundër Spanjës nuk mund t’i lësh avantazhin dhe pastaj ta ndjekësh topin gjatë gjithë ndeshjes”.
Në fund, suedezi shprehu sërish respektin për Deschamps, duke vlerësuar sukseset e tij dhe faktin që e mbajti Francën mes elitës së futbollit botëror për më shumë se një dekadë.







