Boksieri meksikan Canelo Alvarez do të rikthehet në ring një vit pas humbjes së tij tronditëse ndaj Terence Crawford, ku humbi të gjithë titujt kampionë bote të peshës super të mesme. Më 12 shtator, 35-vjeçari meksikan do të ndeshet me kamerunasin Christian Mbilli për titullin e kategorisë WBC.
Kështu, Alvarez do të kërkojë të fitojë përsëri një nga titujt që mbante më parë kur të përballet me Mbilli (29 fitore e 1 barazim), që aktualisht mban titullin e kësaj kategorie. Dueli do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.
“Pas kaq shumë vitesh në këtë sport, motivimi im është ende i njëjtë: të sfidoj veten, të përfaqësoj Meksikën dhe të vazhdoj të ndërtoj trashëgiminë time“, tha Alvarez, që më tej shtoi: “Mbilli është i pamposhtur dhe një luftëtar i shkëlqyer. E respektoj këtë, por fokusi im është gjithmonë në përgatitjen time, performancën dhe t’u jap tifozëve një tjetër natë të shkëlqyer boksi”.
“Më 12 shtator në Riad, fillojmë një kapitull të ri me të njëjtën disiplinë, ambicie dhe vizion që më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës sime“, tha Canelo Alvarez, 63 fitore, 3 humbje e 2 barazime në karrierë.







