Zyrtarizohet marrëveshja! Usyk dhe Dubois sërish në ring për një “mbret” të vetëm në peshën e rëndë, ja detajet

30 Prill 2025
10:30
Telesport
back button

Tashmë është zyrtare! Është arritur marrëveshja për të zhvilluar sfidën e unifikimit të titujve kampionë bote në peshën e rëndë mes boksierit ukrainas Oleksandr Usyk dhe atij britanik Daniel Dubois.

Ajo do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “Wembley” të Londrës. Kjo do të jetë përballja e dytë mes këtyre dy boksierëve, me Usyk që fitoi me KO në raundin e 11-të sfidën e parë, në gusht të 2023-shit.

Ajo përballje pati mjaft polemika, me Dubois (22 fitore e 2 humbje në karrierë) që hodhi në tapet ukrainasin (raundi i nëntë), por ajo u konsiderua një goditje nën brez. Gjyqtari ndali duelin, dënoi britanikun e më pas Usyk rikuperoi e fitoi.

Tashmë është koha për revansh, me Usyk që konsiderohet favorit (23 fitore e asnjë humbje). Ukrainasi u bë një herë kampion i padiskutueshëm i peshës së rëndë, kur në maj të vitit të kaluar mposhti Tyson Fury dhe mori gjithë titujt.

Më pas, Usyk dorëzoi titullin e kategorisë IBF, pasi nuk e mbrojti dot (preferoi revanshin me Fury), titull që më pas e fitoi Dubois (mundi me KO Joshua). Usyk është mbajtësi i titujve WBC, WBA dhe WBO.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit