133 milionë euro si “gur në qafë për Caicedo: Hasa shumë vështirësi te Chelsea, ja kush më ndihmoi

7 Gusht 2024
8:00
Alfred Lleshi
back button

Mesfushori i Chelsea, Moises Caicedo, rikthehet të flasë hapur për çështjen që lidhet me përshtatjen e tij te blutë e Londrës, ku mbërriti verën e kaluar për shumën rekord, ose pothuajse, prej 115 milionë paund, e barabartë me rreth 133 milionë euro.

Ekuadoriani, i cili është vetëm 22 vjeç, iu bashkua bluve nga Brighton, gushtin e kaluar, dhe pranoi se fillimi nuk ishte aspak i lehtë, edhe për shkak të shumës së paguar nga skuadra që tani stërvitet nga Maresca për ta pasur atë.

Ai shënoi një gol dhe dha 4 asiste në 48 ndeshje, në sezonin debutues me blutë londinezë, teksa Chelsea përfundoi i gjashti në Premier League dhe trajneri Mauricio Pochettino u largua në maj.

Ja fjalët e tij për BBC: “Fillimi ishte i vështirë për mua, sepse kur luan në një klub të madh, i cili ka paguar një çmim të lartë për ty, gjithmonë duhet të fitosh çdo ndeshje. Ishte e vështirë për mua, sepse kur isha te Brighton, presioni ishte më i vogël. Te Chelsea ndjeva shumë presion, edhe pse e njihja klubin, historinë, lojtarët që kanë qenë atje”.

Nëse fillimi nuk ishte i lehtë, gjërat janë shumë më mirë tani për ekuadorianin: “Pas katër apo pesë muajve të parë, u ndjeva më rehat në klub. A ishte çështje besimi? Po. Unë kam cilësi dhe e njoh lojtarin që kam brenda vetes. Sidoqoftë, ndonjëherë, nëse nuk je i fortë mendërisht, është e vështirë”.

Lojtari i atribuon një meritë të madhe Pochettino: “Shumë njerëz rreth meje më ndihmuan; Mauricio dhe stafi i tij në radhë të parë. Ata ishin me mua kur ndjeva se nuk isha më i njëjti Moises. Iu thashë: Ju lutem më ndihmoni, sepse dua të tregoj cilësinë time, futbollin tim. Dhe ata qëndruan pranë meje.

Pastaj, kam një person (trajner mendor) nga jashtë klubit që më ndihmon shumë për ta hequr presionin nga koka ime. Ai më thoshte: Ki besim te vetja, sepse je një lojtar shumë i mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit