3 pikë larg kreut, Inzaghi: Humbje e dhimbshme ndaj Romës, por ky është futbolli

28 Prill 2025
8:08
Alfred Lleshi
back button

Tashmë e sheh veten 3 pikë larg kreut të Serie A, i cili u rrëmbye mbrëmë i vetëm nga Napoli. Simone Inzaghi, trajneri i Interit, foli për mikrofonat e “Rai Radio 1”, duke e komentuar kështu humbjen 1-0 në “San Siro” ndaj Romës: “Sot kemi humbur një ndeshje të dhimbshme, por ky është futbolli. Në pjesën e parë duhej të ishim më të mirë, ndërsa në pjesën e dytë dhamë gjithçka kishim, pa u shpërblyer nga episodet që shpesh vendosin ndeshjet”.

A ju ka munguar diçka për ta gjetur golin?
Për këtë jam dakord. Goli i parë i Romës erdhi nga një përplasje e rastësishme, pikërisht për këtë e kam fjalën kur flas për episodet. Pa dashur t’iu heq asgjë meritave të Romës, që erdhi këtu në ‘San Siro’ dhe bëri një ndeshje shumë të mirë.

E pamë gjithë skuadrën tuaj në vështirësi…
Tani do të përpiqemi të rikuperojmë energjitë fizike dhe mendore. Të flas për penallti, kalendarë ose rivënie anësore nuk më duket e përshtatshme. Do të ishte e lehtë për një trajner të justifikohej… Diçka na mungoi në aspektin e energjisë dhe qartësisë, tani duhet t’i rikuperojmë ato brenda 48 orëve për të luajtur gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Gabim i madh për titullin?
Aspak. Mbeten edhe katër ndeshje, ende ka shumë për t’u luajtur deri në fund. Do të luftojmë me shumë besim, duke nisur nga sfida me Barcelonën, vajtje-ardhje. Vijmë nga tri humbje radhazi, gjë që nuk na ka ndodhur më parë. Ky është futbolli, duhet të dimë të reagojmë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit