Një epokë e re ka nisur te Manchester City pas largimit të Pep Guardiola nga pankina e skuadrës. Me mbylljen e një cikli dominues në futbollin anglez, klubi pret të zyrtarizojë trajnerin e ri, ndërsa Enzo Maresca mbetet favoriti kryesor për ta zëvendësuar.
Dy javë pas lamtumirës së Guardiolës, presidenti i klubit, Khaldoon Al Mubarak, dha një intervistë për mediat zyrtare, ku foli për sezonin dhe trashëgiminë e trajnerit katalanas: “Pep ndryshoi futbollin anglez. E them me përulësi, por e besoj plotësisht. Nëse shikon se si ka evoluar kampionati dhe skuadrat e Premier League gjatë këtyre 10 viteve, mënyra se si luhet futbolli sot krahasuar me 10 vite më parë, ndikimi i tij është i padiskutueshëm”.

Al Mubarak shtoi: “Ndikimi i tij në lojë, në taktika dhe në stërvitje ka lënë gjurmë në këtë kampionat. Shumë ekspertë dhe komentatorë të futbollit do të bien dakord me këtë. Shumë pak trajnerë arrijnë të ndryshojnë jo vetëm një skuadër, por një kampionat të tërë. Pep e bëri këtë këtu, nuk kam asnjë dyshim”.
Gjatë 10 viteve në krye të Manchester City, spanjolli fitoi plot 21 trofe: 6 Premier League, 4 “FA Cup”, 5 “Carabao Cup”, 3 “Community Shield”, 1 Champions League, 1 Superkupë të Europës dhe 1 Kupë Interkontinentale, duke u shndërruar në trajnerin më të suksesshëm në historinë e klubit.







