Momenti i mirë për pilotin e ri italian Kimi Antonelli vijon edhe në Monako, ku të shtunën pasdite siguroi “pole position” në rrugët e Montekarlo. Piloti i Mercedes dha kohën 1’12”051, duke befasuar të gjithë, duke i rrëmbyer “pole” Max Verstappen.
Katër herë kampioni i botës në Formula 1 u rendit në vendin e dytë, duke bërë gjithashtu një paraqitje të mirë. Nga vija e dytë e nisjes do ta startojnë garën e të dielës dy pilotët e Ferrari, me Lewis Hamilton që u rendit i treti.
Britaniku la pas shokun e tij të skuadrës Charles Leclerc, të zotin e shtëpisë, që për një moment u duk se ishte ai i pari. Por, në pak sekonda Leclerc zbriti në të katërtin, duke lënë pas makinën Red Bull të Isack Hadjar.
Vetëm i gjashti britaniku George Russell me makinën tjetër Mercedes, ndërkohë që zhgënjyen dy makinat McLaren, në vendet 7-8 me Oscar Piastri dhe Lando Norris. Në “top-10” edhe Pierre Gasly e Liam Lawson.
Në një pistë qytetase mjaft të ngushtë dhe ku parakalimet janë të vështira, rezultatet e provave zyrtare janë të rëndësishme. Për Antonelli është shansi i madh të korrë fitoren e pestë radhazi dhe të thellojë edhe më shumë diferencën në renditje.








