Pas më shumë se një viti larg fanellës kuqezi, Taulant Seferi u rikthye në kombëtare, duke luajtur në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Luksemburgut, e humbur 1-0. Sulmuesi pranoi se ishte i lumtur për ftesën e marrë, por njëkohësisht i zhgënjyer nga dy humbjet në miqësore, ndërsa theksoi se skuadra ka nevojë për kohë për t’u përshtatur me filozofinë e re të trajnerit Rolando Maran:
“Kisha një vit e ca që nuk kam qenë në kombëtare. U ndjeva i lumtur kur mora ftesën, por shumë i mërzitur për dy ndeshjet që humbëm. Nuk duhej të ndodhte.
Ndryshimi është se me trajnerin e ri do të luajmë më shumë me topin dhe do të ushtrojmë më shumë presing. Mendoj se nuk kemi pasur shumë kohë për të punuar në aspektin taktik. Për këtë arsye kemi pasur mangësi në të dyja ndeshjet. Shpresoj që me kalimin e kohës t’i përmirësojmë shumë këto elemente.
Në fillim të javës kam dalë në stërvitje edhe si mbrojtës i djathtë, sepse trajneri dëshiron që mbrojtësi i djathtë të ngjitet më lart dhe të ketë më shumë detyra sulmuese. Nëse trajneri dëshiron që të luaj në atë pozicion, jam i gatshëm.
Për rolin tim të preferuar? Të them të drejtën, më pëlqen shumë të sulmoj thellësinë dhe të bëj vrapime pas mbrojtjes kundërshtare. Megjithatë, edhe te skuadra ime kam luajtur në krah gjatë gjithë sezonit dhe jam ndjerë mirë. Mund t’i kryej me dëshirë të dyja rolet”.







