Pas humbjes 1-0 ndaj Luksemburgut, trajneri Rolando Maran nuk e fshehu zhgënjimin për paraqitjen e Shqipërisë, duke pranuar se eksperimentet e provuara në dy miqësoret e fundit nuk dhanë rezultatet e dëshiruara. Megjithatë, tekniku kuqezi theksoi se këto ndeshje i kanë shërbyer për të kuptuar më mirë karakteristikat e lojtarëve dhe nevojat e ekipit përpara sfidave të ardhshme në Ligën e Kombeve:
“Nuk mund të ndjehesh mirë pas dy humbjesh, është një hap mbrapa. Më vjen keq sepse nuk e deshëm, shpresoja të bënim një ndeshje ndryshe. Me shumë mundësi vuajtëm edhe pasojat e moskualifikimit në Botëror, të cilat ndoshta i sollëm në këto dy ndeshje. Nuk duhet të jetë alibi, mua më shërbejnë për të kuptuar se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet bërë. Angazhimi ishte maksimal për nga ana e energjive, por skuadra e ka paguar disi moskualifikimin.
Kemi bërë një hap mbrapa. Kërkova gjëra ndryshe dhe në këtë periudhë me pak energji nuk arritëm t’i realizonim. Sipas meje bëmë më mirë ndaj Izraelit në ndërtimin e lojës. Sot pësuam gol shpejt dhe u munduam të kërkonim rezultatin jo me atë që kishim provuar, por me instinktin. Kjo nuk duhet të ndodhë. Është një hap mbrapa, por duke provuar gjëra të ndryshme duhej të shihnim nëse mund të funksiononin dhe këtë mund ta bëja vetëm në këto ndeshje. Kjo është një skuadër që vuan kur zgjatet dhe unë duhet të bëj të mundur që kjo të mos ndodhë më. Shpresoja të shtoja diçka, por nga vrulli hoqëm diçka tjetër. Duhet të jemi të aftë t’i rishohim gjërat për të rikthyer ekuilibrin.
Mendoj se lojtarët i kemi, por edhe unë duhet të kuptoj më mirë situatën, më duheshin këto ndeshje për eksperimente të veçanta. Kemi bërë që mbrojtësit të vuajnë, sepse ata kanë nevoja të tjera për të qenë të mbuluar. Duhet ta analizoj këtë dhe ta ndihmoj ekipin. Këto teste më nevojiteshin për të kuptuar reagimet, edhe pse e dija se po përballesha me diçka që mund të mos funksiononte.

Për hierarkinë? Po njoh lojtarë që më parë i njihja vetëm nga jashtë, ndërsa tani i kam parë në stërvitje dhe në ndeshje. Më kanë bërë të reflektoj, siç është e drejtë, sepse ndryshe këto ndeshje nuk do të kishin vlerë. Kanë ardhur shumë lojtarë që nuk kishin luajtur rregullisht dhe këtë e kemi vuajtur edhe në aspektin energjik. Nëse nuk do ta shfrytëzoja këtë mundësi, më pas do të ishte më e vështirë për mua. Kështu testi ishte më i plotë. Djemtë u angazhuan maksimalisht, ndërsa unë mbaj përgjegjësinë që ndoshta nuk arrita t’u transmetoj siç duhet idetë e mia. Megjithatë, mund të bënim më shumë dhe kjo nuk mund të mohohet.
Mungonin Muçi dhe Manaj? Në këto ndeshje u mundova të krijoja alternativa. Prisja një përmirësim dhe nuk erdhi. Sipas meje i kemi mundësitë, por sot tentativat tona ishin më të paqarta. Ishte fundi i sezonit dhe shumë lojtarë erdhën pas një periudhe zhgënjimi. Duhet t’i marrim parasysh edhe këto faktorë. Nuk dua ta përdor si alibi, por duhet të jemi objektivë për të kuptuar gjendjen psikofizike të ekipit. Jam i bindur se kjo do të na ndihmojë të jemi më të përqendruar dhe me më shumë energji kur të rikthehemi për Ligën e Kombeve. Nuk është e bukur të humbasësh para tifozëve të tu.
Gjëja më pozitive ishte gatishmëria e lojtarëve. Ata u vunë plotësisht në dispozicion, por mungoi kthjelltësia për të shfaqur në fushë atë që kishim provuar. Goli i pësuar na bëri të humbnim qartësinë. Kjo gatishmëri është diçka që e vlerësoj shumë. Gjatë këtyre ditëve kam njohur një grup të motivuar dhe sot kam një ide shumë më të qartë për lojtarët që kam në dispozicion. Ndoshta çdo trajner do të kishte hasur vështirësi në këtë situatë, por këto ndeshje më shërbyen. Në raste të tjera mund të isha sjellë ndryshe, por vendosa të rrezikoj për të mësuar më shumë. Tani duhet të paraqitemi mirë në ndeshjet që kanë vërtet rëndësi dhe për këtë jam i bindur”.







