Hysaj pas ndeshjes së 100-të me Shqipërinë: Doja ta festoja ndryshe, disa e kanë mendjen te pushimet…

7 Qershor 2026
8:01
Alfred Lleshi
back button

Jubileu i 100 ndeshjeve me fanellën kuqezi nuk rezultoi ashtu siç e kishte ëndërruar Elseid Hysaj. Mbrojtësi i kombëtares shprehu keqardhjen për humbjen ndaj Luksemburgut dhe mungesën e tifozëve në stadium, ndërsa theksoi se skuadra po kalon një periudhë tranzicioni pas ndryshimit në pankinë dhe ka nevojë për kohë për t’u përshtatur me kërkesat e trajnerit të ri:

“Do doja ta festoja ndryshe jubileun e 100 ndeshjeve, por nuk ndodhi kështu. Më vjen keq, jam pak i lumtur dhe pak i trishtuar, duhej të fitonim. Më vjen keq edhe që stadiumi ishte pothuajse bosh, por duhet të shohim përpara, sepse në jetën time kam menduar gjithmonë se duhet të ecësh përpara. Do t’i korrigjojmë gabimet që kemi bërë.

Mund të ndikojë edhe fakti që disa lojtarë vijnë pas një kampionati të gjatë, ndërsa të tjerë e kanë mendjen te pushimet. Fundi i sezonit është gjithmonë i vështirë, por ne duhet të jemi profesionistë, sepse luajmë për kombin dhe kur vijmë këtu duhet të japim 100%.

Mund të jetë një imazh i futboll, futboll dhe teksti që thotë "가0 HYSAJ 100"

Kur ndodh ndryshim trajneri, pas një kompeticioni të madh, ku treguam se jemi në nivel të lartë, duke arritur në ‘play-off’, është moment i vështirë. Ua kam thënë djemve se duhet të jemi të përgatitur. Nuk e dinim nëse do të qëndronte trajneri Sylvinho apo jo dhe kishte konfuzion. Ua kam thënë të gjithëve që duhet të ecim përpara, sepse nëse futesh në një spirale negative është shumë e vështirë të rikthehesh. Kemi parë që ka gjëra që nuk funksionojnë dhe shpresoj që të kuptojmë sa më shpejt atë që kërkon trajneri. Kishim shumë pak kohë për të punuar dhe jemi në fund të sezonit, por duhej të vinim këtu për të dhënë maksimumin.

Nga fusha dukej se kundërshtari e kishte analizuar mirë ndeshjen dhe kishte gjetur pikat tona të dobëta. Ndoshta gabuam në disa dalje në presing. Ata krijuan një rast dhe shënuan, ndërsa ne kishim 2-3 mundësi të mira, ashtu si ndaj Izraelit, por nuk arritëm t’i konkretizonim. Futbolli është i vështirë dhe nëse nuk japim 110%, çdo kundërshtar mund të na ndëshkojë.

E di që nuk po shënojmë. Shpresoj që sulmuesit të arrijnë të zhbllokohen, sepse edhe ata e ndiejnë mungesën e golit. Uroj ta kalojmë sa më shpejt këtë moment. Trajneri më kërkon të shtyj përpara dhe unë do të bëj gjithçka që mundem”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit