Tenisti gjerman Alexander Zverev më në fund ia doli mbanë. Pas tri përpjekjesh të dështuara, numri 3 në botë për meshkuj, arrin të fitojë një grand slam në karrierën e tij, atë të Roland Garros, turneun më të rëndësishëm të fushave me dhé.
Në finalen e luajtur në Paris, pas një beteje që zgjati më shumë se 4 orë, Zverev mundi 3-2 italianin Flavio Cobolli, në një ndeshje epike, me rivalitet dhe emocione. Dy herë gjermani kaloi në avantazh, duke fituar 6-1 setin e parë dhe 6-4 setin e tretë.
Gjithsesi, Cobolli, numri 14 në botë dhe surpriza e këtij turneu, nuk u dorëzua. Italiani fitoi 6-4 setin e dytë dhe 7-6 setin e katërt, duke shtyrë gjithcka për në setin final. Një set ku nuk pati shumë rivalitet, pasi Zverev dominoi dhe fitoi me meritë 6-1.
Lot gëzimi për Alexander Zverev, që në përpjekjen e katërt arrin të fitojë më në fund një grand slam. Pas mungesës së Alcaraz (i dëmtuar) dhe eliminimeve të Sinner dhe Djokovic, ai ishte favoriti kryesor dhe ia doli mbanë edhe pse vuajti shumë për të ngritur trofeun.







