Kombëtarja e femrave feston arritjen historike, ja data kur do të mësojnë kundërshtarin e play-off

9 Qershor 2026
22:02
Telesport
back button

Kombëtarja e vajzave shkroi historinë mbrëmjen e sotme, duke arritur suksesin më të madh në historinë e futbollit të vajzave në Shqipëri. Fitorja 5-2 ndaj Malit të Zi vlen shumë më tepër sesa tre pikë në renditjen përfundimtare. Kjo fitore kurorëzon një rrugëtim të mbushur me sakrifica, përkushtim dhe besim, duke sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar.

Për herë të parë, Shqipëria e vajzave siguron kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës “Brazil 2027” për vajza, ndërsa njëkohësisht konfirmon vazhdimësinë e saj në Ligën B, duke u renditur mes skuadrave që do të vazhdojnë të garojnë në këtë nivel të rëndësishëm të futbollit europian. Po ashtu, Kombëtarja regjistroi edhe një tjetër rekord, duke grumbulluar për herë të parë 7 pikë në grupet e Ligës B.

Ky sukses është fryt i punës së një grupi vajzash me karakter, personalitet dhe shpirt gare, të cilat kanë luajtur me dashuri dhe kanë mbrojtur me krenari fanellën kuqezi në çdo ndeshje. Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima dhe stafit teknik, nën mbështetjen e vazhdueshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, që prej vitesh investon në zhvillimin e futbollit të vajzave, kjo skuadër ka shkruar një faqe të artë jo vetëm për futbollin e vajzave, por për të gjithë futbollin shqiptar.

Rrugëtimi i Kombëtares së vajzave do të vijojë në Ligën B edhe në kompeticionet e ardhshme të UEFA-s, ndërsa më 18 qershor vajzat kuqezi do të mësojnë kundërshtaren e tyre në raundin e parë të fazës play-off të Kupës së Botës “Brazil 2027”, duke vazhduar të ëndërrojnë dhe të përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit