Raporti i UEFA-s & Nielsen zbulon të dhënat e radhës për imazhin dhe reputacionin e FSHF-së

26 Qershor 2026
17:34
Telesport
back button

Raporti “UEFA Grow Market Research”, i realizuar nga UEFA dhe Nielsen, evidenton faktorët që ndikojnë më shumë në perceptimin e tifozëve për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe reputacionin e saj institucional.

Studimi analizoi 24 tregues të ndryshëm të reputacionit, të grupuar në nëntë fusha kryesore, për të identifikuar elementët që ndikojnë më fort në krijimin e një imazhi pozitiv për FSHF-në te tifozët e futbollit.

Sipas gjetjeve të raportit, tre faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në perceptimin pozitiv të Federatës janë kompetenca institucionale, rezultatet në nivel elitar dhe aftësia për të administruar dhe zhvilluar futbollin në vend.

Raporti tregon se FSHF vlerësohet veçanërisht për rezultatet sportive në nivel të lartë, duke përfshirë sukseset e ekipeve kombëtare, zhvillimin e talenteve të rinj dhe kontributin në përgatitjen e arbitrave në nivele elitare.

Një tjetër element i vlerësuar nga tifozët është kompetenca në drejtimin e futbollit shqiptar. Studimi evidenton se Federata perceptohet pozitivisht për lidershipin e saj dhe për punën e orientuar drejt objektivave të qarta të zhvillimit të futbollit.

Analiza e reputacionit tregon gjithashtu se FSHF performon mirë në shumicën e fushave që konsiderohen më të rëndësishme për krijimin e një imazhi pozitiv. Tifozët vlerësojnë veçanërisht drejtimin institucional, rezultatet sportive dhe vizionin për zhvillimin e lojës në të gjitha nivelet.

Raporti evidenton gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të investimeve në administrimin dhe zhvillimin e futbollit, si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës. Përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës sportive dhe rritja e angazhimit me grupet e interesit identifikohen si fusha me potencial zhvillimi për të ardhmen.

Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me besueshmërinë dhe integritetin institucional. Sipas studimit, qeverisja dhe administrimi i futbollit në mënyrë të përgjegjshme dhe etike mbeten ndër elementët që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në reputacionin e Federatës.

Gjetjet e raportit konfirmojnë se rezultatet sportive, lidershipi institucional dhe puna për zhvillimin e futbollit shqiptar janë faktorët kryesorë që formësojnë perceptimin pozitiv të tifozëve për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe aktivitetin e saj.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit