Në një intervistë, ish-mbrojtësi i “Seleçaos”, i cili ka luajtur në Itali me Milanin dhe Romën, tregon se çfarë do të thotë të ndajë rekordin për finale të luajtura në Kupën e Botës. Lionel Messi është gati ta barazojë me tri finale Botërori të luajtura në karrierë. Në një farë mënyre, argjentinasi do ta tejkalojë, pasi ndryshe nga ish-mbrojtësi brazilian, ai do t’i luajë të trija finalet si titullar.
Cafu u shpreh: “Asnjë finale nuk ngjan me tjetrën. Kur Lionel Messi të zbresë në fushë, do të barazojë një rekord që deri tani më përkiste vetëm mua. Do të jemi të vetmit lojtarë që kanë pasur një vazhdimësi që në futbollin modern është pothuajse e pamundur të ruhet”.
Më tej, ish-lojtari i Milanit dhe Romës shtoi: “Të rikthehesh në finale të Botërorit është konfirmimi se i përket elitës absolute. Dhe një finale nuk ngjan kurrë me tjetrën. Të parën e përballon me entuziazëm dhe pakujdesi, ndjen se mund të pushtosh botën. Në të dytën e di se çfarë do të thotë të humbasësh apo të fitosh, ndërsa e treta nuk mund të shpjegohet lehtë. E kupton se mbi shpatulla nuk ke vetëm skuadrën tënde, por edhe historinë tënde”.
Në fund, Cafu përqendrohet te Messi: “E imagjinoj se ai po përjeton ndjesi të ngjashme. Me kalimin e viteve ka ndryshuar: më parë vendoste me talentin, tani duke lexuar çdo moment të ndeshjes. Të jesh në tri finale do të thotë të kesh kaluar breza, ndryshime taktike dhe evoluime të futbollit. Ky rekord është i veçantë, nuk përfaqëson vetëm dy karriera të jashtëzakonshme, por vazhdimësinë e përsosmërisë.
Për këtë arsye do ta shoh finalen me një emocion të veçantë. Do të shoh një pjesë të historisë sime të ndarë me dikë tjetër dhe jam i lumtur që është Messi, kampion që ka përshkuar një epokë pa humbur aftësinë për të emocionuar”.







