Interi ka nisur përgatitjet në grumbullimin e “Donaueschingen”, në Gjermani, por mendja është tashmë te sezoni i ri dhe objektivat ambiciozë. Kampionët e Italisë nuk mjaftohen me triumfin e fundit në Serie A dhe synojnë të përsërisin suksesin, por edhe të shkojnë më larg në arenën europiane. Këtë e konfirmoi mesfushori polak Piotr Zielinski, një nga liderët e skuadrës sezonin e kaluar:
“Kemi ambicie të mëdha. Duam të fitojmë sërish kampionatin dhe Kupën e Italisë, ndërsa në Champions synojmë të bëjmë më mirë se sezonin e kaluar, kur nuk ishim në nivelin tonë. Interi duhet të synojë fitoret në çdo kompeticion, pastaj do të shohim deri ku do të arrijmë. Nuk fshihemi, e dimë çfarë do të thotë të fitosh dhe sa bukur është ta bësh”.
Sa i përket rivalëve në Serie A, Zielinski nuk preferoi të përmendte emra: “Ka disa skuadra shumë të forta që do të luftojnë me ne për titullin. Jemi vetëm në fillim të sezonit dhe merkatoja është ende e hapur, ndaj është herët për të thënë se cilat do të jenë. Me siguri do të jenë tri ose katër skuadra”.
Mesfushori shtoi se trajneri Cristian Chivu i ka kërkuar ekipit të rifitojë urinë dhe motivimin: “Na ka kërkuar të rikthejmë motivimin e duhur, urinë dhe ambicien për këtë sezon. Sezoni i kaluar duhet të mbetet pas dhe tani duhet të përgatitemi sa më mirë për të ardhmen”.
Duke folur për repartin e mesfushës, polaku u shpreh: “Kemi një mesfushë plot talent dhe eksperiencë. Secili ka karakteristika të ndryshme dhe shumë cilësi. Nga ana ime do të përpiqem të përmirësohem dhe ta ndihmoj skuadrën me gola e asistime për të fituar”.
Ai pati fjalë pozitive edhe për Aleksandar Stankovic: “Është një lojtar shumë i mirë, me cilësi, energji dhe forcë fizike që na duhen në mesfushë. Jam i bindur se do të japë kontributin e tij”.
I pyetur se cili është “Zielinski i vërtetë” pas dy sezoneve tek Interi, ai u përgjigj: “Jam gjithmonë i njëjti. Sezoni im i parë ishte disi i pafat për shkak të dëmtimeve dhe mungesës së vazhdimësisë, ndërsa në sezonin e dytë u pa Zielinski i vërtetë. Shpresoj të përmirësohem edhe më shumë dhe të jem edhe më vendimtar”.
Në fund, polaku foli edhe për finalen e Kupës së Botës, ku kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, do të udhëheqë Argjentinën: “Do të bëjmë tifo për të, edhe pse në të kaluarën kam luajtur edhe me Fabian Ruiz. Lautaro ishte vendimtar në gjysmëfinale dhe i uroj të shënojë golin e fitores edhe në finale, sepse e meriton. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, një lider dhe shpresoj që të fitojë Botërorin e tij të dytë”.







