Gjysmëfinalja Angli–Argjentinë u karakterizua nga shumë ndërhyrje, me 19 faulle vetëm në pjesën e parë. Megjithatë, ajo mbetet larg “Betejës së Nurembergut”, Portugali–Holandë në 1/8-at e Botërorit 2006, e konsideruar ndeshja më e dhunshme në historinë e Kupës së Botës.
Portugalia e Luís Figos dhe Cristiano Ronaldos u përball me Holandën e Robben, Van Persie, Sneijder dhe Van Nistelrooy. Të dyja skuadrat kishin kaluar fazën e grupeve pa humbje, ndërsa holandezët kërkonin hakmarrje pas eliminimit nga Portugalia në gjysmëfinalen e “Euro 2004”.
Ajo që pritej të ishte një spektakël futbolli u shndërrua në luftë. Gjyqtari rus Valentin Ivanov akordoi 63 faulle, 16 kartonë të verdhë dhe 4 të kuq, plot 20 kartonë, rekord absolut në historinë e Botërorëve.
Cristiano Ronaldo u detyrua të largohej i dëmtuar mes lotësh pas një ndërhyrjeje të ashpër të Khalid Boulahrouz. Portugalia fitoi 1-0 me golin e Maniche, por ndeshja përfundoi me 4 lojtarë të përjashtuar. Presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, kritikoi Ivanov, ndërsa ajo sfidë mbeti e njohur përgjithmonë si “Beteja e Nurembergut”.







