Emri i ri për mesfushën e Napolit vjen nga Gjermania, me gazetën “Sueddeutsche Zeitung” që shpjegon se si klubi blu ka identifikuar Leon Goretzka të Bayern Munich si një emër të mirë për të forcuar skuadrën e Antonio Contes. Lojtari të cilit i skadon kontrata në vitin 2026 ka një pagë shumë të lartë, rreth 9 milionë euro në sezon. Pikërisht për këtë operacioni nuk premton të jetë i thjeshtë.
Drejtori sportiv Eberl është i hapur për shitjen e tij: “Ne diskutojmë në konfidencë, jo në publik. Sidoqoftë, është e qartë se konkurrenca në mesfushë do të jetë jashtëzakonisht e ashpër. Në fund të fundit, çdo lojtar duhet të vendosë vetë se cili është hapi i tij i ardhshëm dhe nëse e pranon konkurrencën apo jo”.
Drejtuesi bavarez iu referua kështu situatës së mesfushorit të lindur më 1995, në përgjigje të një pyetjeje që i bëhej për të ardhmen e tij, duke pasur parasysh ardhjen e Joao Palhinha dhe shpërthimin e Pavlovic sezonin e kaluar.
Goretzka nuk duket se dëshiron të largohet nga “Allianz Arena” për momentin, por situata mund të ndryshojë nga tani deri në fund të gushtit. Bayern Munich, gjithashtu për të financuar tregun e transferimeve, do ta pranonte me dëshirë transferimin e tij, me Napolin që po ndjek me interes evoluimin e çështjes, ashtu si edhe Atletico Madrid.