Vjen medalja e parë historike për ekipin olimpik të refugjatëve. Boksierja nga Kameruni, Cindy Ngamba (pesha 75kg), falë fitores 5-0 ndaj francezes Davina Michel, ka siguruar të paktën medaljen e bronztë në këtë Olimpiadë. Kjo është medalja e parë e fituar nga skuadra e refugjatëve, e pranishme në Olimpiadë që nga “Rio 2016”. Cindy Ngamba ka statusin e refugjatit në Britaninë e Madhe, ku mbërriti në moshën 11-vjeçare.
Polemika e pafund në Francë për Senën e ndotur. Lajmi i fundit që shkakton kaos është ai i raportuar nga “L’Equipe” sipas të cilit sportistja belge e triathlonit (3-garëshit) Claire Michel është shtruar në spital. Arsyeja është infeksioni nga bakteri Escherichia coli. Stërvitja e triathlonit u anulua edhe sot dhe garat për meshkuj dhe femra janë planifikuar për 8 dhe 9 gusht.
Gjykata franceze ka hapur një hetim pasi organizatorët e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike depozituan dje një ankesë për kërcënim me vdekje. Kështu ka bërë të ditur prokuroria e Parisit. Hetimi iu besua brigadës kundër krimit. Hetime të tjera u hapën pas ankesave të veçanta nga drejtori artistik i ceremonisë, Thomas Jolly, Drag Queen, Nicky Doll dhe DJ dhe aktivistja feministe, Barbara Butch.
Donald Trump, kandidati për presidencën amerikane, komentoi për ndeshjen e diskutueshme të boksit mes trangjinores Khelif (Algjeria) dhe italianes Carini: “Një kampion italian u përplas në ring me një person trans, një boksier i mirë mashkull. Ai e goditi atë dy herë aq fort sa nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Nëse do të zjidhem president, burrat nuk do të merrnin pjesë në sportet e grave.
Është përcaktuar shorti i çerekfinaleve të turneut të basketbollit për meshkuj në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Çiftet e fazës së eliminimit direkt janë: Gjermani – Greqi (6 gusht, ora 11:00), Francë – Kanada (6 gusht, ora 18:00), Serbi – Australi (6 gusht, ora 14:30), Brazil – Shtetet e Bashkuara (6 gusht, ora 21:30).







