Pas arritjes së Francës në finalen e Lojërave Olimpike të Parisit, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit (FFF) Philippe Diallo u pyet nëse ka ndonjë mundësi që trajneri i kombëtares olimpike, Thierry Henry, të bëhet trajneri i ri i kombëtares së madhe transalpine, ku Didier Deschamps përfundoi në “stuhinë” e kritikave, pas një Kampionati Europian 2024, që konsiderohet zhgënjyes nga më të shumtët.
Duke iu përgjigjur temës në mikrofonat e “RMC Sport”, numri 1 i FFF nuk e mbylli derën: “Kur emërova Thierry Henry në këtë post, dikush kishte dyshime për të, duke pasur parasysh atë që kishte bërë më parë në stol.
Personalisht kisha besim në të dhe ai po tregon se kam pasur të drejtë me zgjedhjen e bërë. Do të ketë këtë sfidë për t’u përballur, çdo hap duhet të përfundojë së pari, përpara se të flasim për ndonjë gjë tjetër”.
Me pak fjalë, Diallo merr kohën e tij dhe nuk shkon shumë larg, por në të njëjtën kohë nuk i mbyll dyert sugjerimit që i bëjnë gazetarët. A do ta shohim Henry në stolin e finalistit të Botërorit 2022?
Koha do ta tregojë, ndoshta pas finales olimpike vetë presidenti do të jetë në gjendje të thotë më shumë. E sigurt është se presioni rreth Deschamps po bëhet gjithnjë e më i fortë, pas një Europiani ku blutë zhgënjyen mbi të gjitha për sa i përket lojës.