Me finalen e Botërorit mes Spanjës dhe Argjentinës, po bën sërish xhiron e botës fotoja që tregon Messin duke i bërë banjë Yamalit të sapolindur. Joan Monfort është fotografi që realizoi fotot e famshme të Lionel Messit me Lamine Yamal bebe, në vitin 2007, imazhe që sot po qarkullojnë në të gjithë botën. Tani që është në pension dhe që dy yjet do të përballen në finalen e Botërorit 2026, ai rikthehet të flasë për ato momente: “Unë nuk besoja te fati, tani po”.

Si lindi ideja e fotos? Fotografi tregon: “Në fund të Europianit 2024 ajo u shfaq sërish në mënyrë magjike. E postoi babai i Lamine në Instagram. Historia është që Barcelona dhe UNICEF përgatitën një kalendar dhe kishin vendosur të bashkonin një futbollist të ekipit të parë me një fëmijë nga Katalonja, me short. Ideja ishte të transmetohej një ndjenjë humanizmi me afrimin e Krishtlindjeve.
Kur më thanë se fëmija ishte vetëm disa muajsh, u shqetësova. Teksa po i bëja banjë vajzës sime, më erdhi ideja e vaskës dhe rosakut, të nesërmen i çova të gjitha në ‘Camp Nou’ dhe bëmë foton”.

Në fund, Monfort shpjegon edhe dyshimet e kampionit argjentinas: “Messi edhe sot është i rezervuar, ndërsa atëherë ishte vërtet shumë i turpshëm. Ishte në tension pasi kishte parë një fëmijë kaq të vogël; mendonte se do të duhej të merrej me një fëmijë më të rritur. Unë përpiqesha t’i jepja këshilla, por duhej të bëja edhe foton. Ajo që na shpëtoi ishte nëna e Lamine. Dhe në foto të gjithë buzëqeshin, misioni u përmbush”.







