Ish-presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, ka sulmuar publikisht pasardhësin e tij, Gianni Infantino, duke kritikuar mënyrën se si po drejtohet futbolli botëror dhe paralajmëruar për humbjen e besueshmërisë së institucionit.
Në një postim të gjatë në rrjetin X, Blatter shkroi: “Kartonët e kuq nuk anulohen me telefonata politike. Ato anulohen mbi bazën e rregullave, provave dhe vendimeve të organeve të pavarura. Nëse Presidenti i Shteteve të Bashkuara ndërhyn te presidenti i FIFA-s dhe një lojtar papritur shpallet i pafajshëm para një ndeshjeje me eliminim direkt në Botëror, lind natyrshëm pyetja: ‘Quo vadis, FIFA?’ Futbolli nuk duhet të bëhet kurrë një fushë loje për pushtetin politik”.
Blatter, i cili drejtoi FIFA-n nga 1998 deri më 2015, shtoi se vendime të tilla rrezikojnë ta dëmtojnë seriozisht besueshmërinë e futbollit ndërkombëtar. Ai ishte akuzuar më parë për korrupsion, por më pas u shpall i pafajshëm.







