Marrëveshje totale mes Manchester City dhe Ilkay Gundogan për rikthimin e gjermanit në “Etihad Stadium” pas një viti, për t’u bërë sërish pjesë e Premier League. Mesfushori, siç raporton “The Athletic”, do të nënshkruajë kontratë 1-vjeçare me kampionët anglezë, me mundësi vazhdimi deri më 2026. Ai do të largohet nga Barcelona si transferim i lirë, pas vetëm një sezoni në Katalonjë, dhe do të punojë sërish me Pep Guardiolën.
Për të siguruar që marrëveshja në fjalë të realizohej, Gundogan vendosi të hiqte dorë nga 2 vitet e mbetura të kontratës në fuqi me Barcelonën, pra edhe nga çdo pagesë. Në realitet ai kishte nënshkruar deri në vitin 2025, por marrëveshja u rinovua automatikisht deri më 2026 kur ai arriti 60% të pjesëmarrjes sezonale. Ndërkohë, lojtari ka bërë të ditur se nuk do të jetë më pjesë e kombëtares gjermane, nga e cila u tërhoq pas Europianit.
Në karrierën e tij Gundogan luajti për Manchester City, Borussia Dortmund, Nuremberg, Barcelona, Bochum II dhe Borussia Dortmund II. Në “palmaresin” e tij figuron: një Champions League, 5 Premier League, një Bundesliga, një “DFB Pokal”, 2 “FA Cup”, 4 “Carabao Cup”, 2 Superkupa Gjermane, 2 “Community Shield” dhe një “Regionalliga West”. Në kombëtare e mbylli me 82 paraqitje dhe 19 gola.