Courtois merr vendimin drastik: Nuk kthehem në kombëtare për sa kohë të jetë trajner Tedesco

23 Gusht 2024
8:47
Alfred Lleshi
back button

Thibaut Courtois, portieri i Real Madridit, ka bërë të ditur zyrtarisht se nuk do të rikthehet në kombëtaren e belgjikës për sa kohë në krye të saj si trajner të jetë Domenico Tedesco. Kjo deklaratë erdhi pas ngjarjeve që e prekën sezonin e kaluar, deri në dështimin për t’u thirrur në “Euro 2024”.

Qëndrim të fortë ka mbajtur portieri i lindur më 1992, i cili për këtë arsye largohet nga “Djajtë e Kuq”, të paktën përkohësisht, pasi ka bërë gjithsej 102 paraqitje me ta. Konflikti mes Thibaut Courtois dhe trajnerit aktual të Belgjikës, Domenico Tedesco, sigurisht lindi nga ajo që ndodhi në “Euro 2024”.

Trajneri i Belgjikës vendosi ta lërë jashtë skuadrës së Europianit portierin veteran, duke njoftuar për shtypin mosdisponueshmërinë e tij, pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar në fillim të sezonit të kaluar. Portieri i Real Madridit nuk e ka marrë mirë atë rast, duke mohuar fjalët e trajnerit mjaft ashpër: “Nuk ishte i sinqertë, tregoi mungesë respekti ndaj meje”.

Vendimi i Courtois është rezultat i një përballjeje të tensionuar me trajnerin, e cila ka ngritur shqetësime dhe paqartësi sa i përket drejtimit teknik të kombëtares belge. Pavarësisht përkushtimit dhe dashurisë që Courtois ka treguar gjithmonë për fanellën e Belgjikës, dallimet me drejtuesit teknik e shtynë atë të marrë një pozicion krejtësisht të kundërt.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se situata mund të arrinte në këtë pikë, – tha Courtois. – Pas reflektimit të thellë, kam vendosur të mos kthehem në kombëtare për sa kohë të jetë trajneri aktual”.

Courtois nënvizoi se ky vendim është rezultat i reflektimit dhe diskutimeve të thella me federatën belge. Portieri pranoi se ndihej pjesërisht përgjegjës për situatën, por gjithashtu deklaroi se mungesa e besimit te trajneri aktual nuk do të kontribuonte në ruajtjen e mjedisit pozitiv dhe produktiv të nevojshëm për suksesin e kombëtares.

Federata belge, duke kuptuar vështirësinë e situatës, pranoi qëndrimin e Courtois dhe respektoi vendimin e tij. Portieri i Real Madridit e zyrtarizoi vendimin e tij përmes një postimi në profilin e tij X:

“Dua t’iu drejtohem tifozëve belgë dhe ndjekësve të kombëtares sonë.

Ndjej dashuri dhe krenari të pamasë që përfaqësoj vendin tim në fushë, si dhe secilin prej jush, që mbështet ‘Djajtë e Kuq’. Ndihem i privilegjuar që kam pasur nderin të vesh fanellën e kombëtares. Asnjëherë në ëndrrat e mia më të çmendura nuk mund ta imagjinoja se do të mund ta përfaqësoja Belgjikën më shumë se 100 herë.

Fatkeqësisht, pas ngjarjeve me trajnerin dhe pas shumë reflektimeve, kam vendosur të mos kthehem në kombëtaren belge nën drejtimin e tij. Në këtë çështje pranoj pjesën time të përgjegjësisë. Megjithatë, duke parë nga e ardhmja, mungesa e besimit tim tek ai nuk do të kontribuonte në ruajtjen e klimës së nevojshme të përzemërsisë.

Federata, me të cilën kam pasur disa biseda, pranon qëndrimin tim dhe arsyet që më çuan në këtë vendim të dhimbshëm, por koherent. Më vjen keq që ndoshta kam zhgënjyer disa tifozë, por jam i bindur se është rruga më e mirë për të ecur përpara për Belgjikën, pasi mbyll një debat dhe i lejon skuadrës të fokusohet në arritjen e objektivave të saj.

Faleminderit për mbështetjen, dashurinë dhe mirëkuptimin tuaj të palëkundur”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit