Talenti italian teston Mercedes në garën e Monza, pritet të zërë vendin e Hamilton sezonin e ri

27 Gusht 2024
12:32
Telesport
back button

Duket se Mercedes do të zgjidhë këtë fundjavë enigmën se cili do të jetë piloti që do të zëvendësojë Lewis Hamilton sezonin e ri. Në pistën e Monza, ku të dielën do të zhvillohet gara e radhës në Formula 1, do të hipë në makinën gjermane piloti i ri italian Kimi Antonelli.

Talenti që garon në Formula 2 me Prema, dy ditë më parë festoi 18-vjetorin e tij dhe këtë të premte do të testojë në provat e lira makinën Mercedes të George Russell.

Marrja për herë të parë pjesë në provat e lira të një gare të Formula 1 do të jetë diçka vërtet e veçantë. Jam shumë i lumtur që drejtoj W15 dhe që do të ndaj pistën me të gjithë ata shoferë të jashtëzakonshëm. Mezi po pres!”, tha Kimi Antonelli.

Antonelli aktualisht është në vendin e shtatë në kampionatin e Formula 2, me një sukses të arritur në Silverstone. “Të bëj debutimin tim në Formula 1 para tifozëve të mi është një çmenduri. Mezi pres të mësoj shumë, por edhe të kontribuoj për të ndihmuar ekipin për fundjavën”, tha italiani.

Antonelli e ka testuar tashmë W13, makinën e vitit 2022, në Imola, por ky do të jetë testi i tij i parë në një fundjavë garash. Ai mund të ketë një shans tjetër këtë sezon, këtë herë duke ngarë makinën e Hamilton në provat e lira ose në Meksikë ose në Abu Dhabi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit