Charles Leclerc me Ferrari fitoi sot pasdite garën e Cmimit të Madh të Italisë në Formula 1 zhvilluar në pistën e Monza, suksesi i dytë sezonal për të. Një triumf i jashtëzakonshëm i pilotit monegask, që arriti të dalë i pari falë një strategjie më të mirë gomash, me vetëm një ndalesë.
Piloti i “kokëkuqes” e nisi garën nga vendi i katërt, por arriti ta fitojë atë falë menaxhimit më të mirë të gomave, duke lënë pas dy makinat McLaren, me Oscar Piastri (i dyti) që la pas shokun e tij të skuadrës Lando Norris (i treti). Ky i fundit nuk arriti dot të triumfojë dhe pse e nisi garën nga “pole position”.
Një garë mjaft e mirë e makinës italiane, që arriti një fitore të madhe para tifozëve të saj. Ky është suksesi i shtatë në karrierë për Leclerc. Në vendin e katërt u rendit makina tjetër Ferrari, ajo e Carlos Sainz, që gjithashtu bëri një paraqitje të mirë. Më pas, u klasifikua Lewis Hamilton me Mercedes, i pesti.
Tjetër garë zhgënjyese për Red Bull, në vendin e gjashtë me Max Verstappen, ende në krizë e që humbet terren karshi Norris në renditjen e përgjithshme. Gjithsesi, holandezi është ende lider i botërorit të Formula 1, ndonëse makina e tij nuk bind më dhe nuk fiton prej 6 garash.
Në zonën e pikëve u renditën edhe George Russell (i shtati me Mercedes), Sergio Perez (i teti me Red Bull), Kevin Magnusen (i nënti me Haas) dhe Alex Albon (i dhjeti me Williams). Tashmë diferencat në renditje në të dy botërorët, për pilotë e konstruktorë, janë ulur ndjeshëm dhe kampionati është i hapur.