Mbrëmje fantastike për sportin e mundjes, që siguroi një tjetër biletë për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, me sportistin Islam Dudaev, në peshën 65kg. Ndërsa mundësi i peshës 74kg, Chermen Valiev, do të tentojë nesër kualiifikimin në sfidën shtesë.
Dudaev i bashkohet Zelimkhan Abakarov (pesha 57kg), që ishte kualifikuar muaj më parë, duke e çuar për momentin në dy numrin e mundësve kuqezinj në Olimpiadën pariziene. Sportistët nga Çeçenia, por të natyralizuar shqiptarë, nderojnë flamurin kuqezi.
Aventura e Islam Dudaev nis sot paradite me fitoren 9-0 ndaj Niurgun Skriabin të Bjellorusisë, duke avancuar më tej, ku fitoi 8-6 ndaj kazakut Adlan Askarov në raundin tjetër. Në çerekfinale, mundësi kuqezi triumfoi me pikë ndaj koreano-jugorit Këang Jin Kim, pas barazimit 2-2 me pikë, duke siguruar një biletë për në gjysmëfinale.
Sfida gjysmëfinale është pa histori, pasi Dudaev dominon e fiton me shumë lehtësi 12-2 ndaj ukrainasit Erik Arushanian, duke shkuar mes dy finalistëve të kësaj peshe dhe siguron kualifikimin për në Lojërat Olimpike.
Sipas rregullores, finalja nuk zhvillohet, pasi ky turne ishte kualifikues dhe dy finalistët shkojnë direkt në Olimpiadë. Ndërsa dy mundësit humbës në gjysmëfinale, do të zhvillojnë nesër një duel shtesë për vendin e tretë, i fundit që të kualifikon.
Një sfidë të tillë do të zhvillojë nesër në peshnën 74kg mundësi Chermen Valiev, që sot u ndal në gjysmëfinale, ku u mund 2-3 nga Viktor Rassadin i Taxhikistanit në sekondat e fundit. Gjithsesi, Valiev ka ende mundësi për t’ia dalë mbanë.
Në duelin e parë, Valiev mundi pa probleme 10-0 armenin Hrayr Alikhanyan, duke avancuar në turin tjetër, ku triumfoi 5-4 ndaj gjeorgjianit Avtandil Kentchadze. Çerekfinalja ishte mjaft e vështirë për Chermen Valiev, që mundi me pikë italianin Frank Chamizo, pasi sfida doli në barazimn 5-5, duke shkuar në gjysmafinale, ku humbi.







