Makina Red Bull nuk është më skuadra më e mirë në botërorin e Formula 1. Që nga gara e fundit në Baku, në krye të renditjes botërore ndodhet McLaren, që tashmë ka 20 pikë avantazh ndaj kampionëve në fuqi. McLaren u rikthye në krye pas 10 vitesh, që nga gara e Australisë në vitin 2014.
Imazhi emblematik i kësaj fundjave për Red Bull, përveç makinës së përplasur të Perez është edhe parakalimi që Lando Norris i bëri Max Verstappen në xhirot e fundit. Pas garës, përmbledhja perfekte e momentit të errët që po përjeton Red Bull, u bë nga Helmut Marko, një nga drejtuesit e ekipit.
“Mendoj se kampionati i konstruktorëve tashmë ka ikur. Duhet të reagojmë sa më shpejt për të rikuperuar e të mos kemi të tjera probleme në të ardhmen”, tha Marko, ndërkohë që Red Bull Racing nuk fiton prej 7 garash.
Në renditjen për pilotë, Verstappen ka ende 59 pikë avantazh ndaj Lando Norris, por me këtë hap prej breshke që po ecën makina austriake rrezikon të humbasë të dy titujt. Edhe Leclerc me 78 pikë pas Verstappen është në garë.