Sparta Prague fitoi pas 19 vitesh në Champions, Laçi rrëfen emocionet e debutimit me super gol në këtë kompeticion

19 Shtator 2024
8:42
Alfred Lleshi
back button

Sparta Pragë gëzoi një rikthim të shkëlqyer në Ligën e Kampionëve, të mërkurën, duke regjistruar fitoren 3-0 ndaj Salzburgut. Kjo ishte ndeshja e parë e skuadrës çeke në kompeticionin më të mirë të klubeve europiane, pas 19 vitesh. Në të la gjurmën e vet edhe Qazim Laçi, mesfushori i kombëtares shqiptare, i cili shënoi golin e tretë të ndeshjes, në minutën e 58-të, duke “vulosur” suksesin e të tijve.

Sparta Prague rrëmbeu një epërsi të hershme në “Epet Arena”, ndërsa tifozët vendas festuan fitoren e parë të ekipit të tyre në këtë kompeticion që nga viti 2003. Mikpritësit e zhbllokuan rezultatin vetëm 2 minuta pas nisjes së lojës, me anë të Kaan Kairinen. Victor Olantuji më pas dyfishoi epërsinë në minutën e 42-të, duke gjuajtur nga një kënd i ngushtë.

Olantuji më pas asistoi Qazim Laçin për golin e tretë dhe të sigurisë përfundimtare. Fitorja e Sparta Prague, e para e saj në Ligën e Kampionëve që nga mposhtja e Lazios 1-0 në dhjetor 2003, i bëri çekët të ndalonin serinë prej 14 ndeshjesh pa fitore në kompeticion (4 barazime, 10 humbje).

Është gjithashtu hera e parë që ata kanë filluar një sezon në Champions League me fitore, në paraqitjen e tyre të tetë në këtë kompeticion. Pas ndeshjes, mjaft i lumtur për golin dhe fitoren, Qazim Laçi do të shprehej në mediat çeke:

“Ndjenjat janë të mahnitshme, emocionuese. Kam luajtur për herë të parë në këtë kompeticion. Ne fituam dhe shënova gol. I gjithë ekipi luftoi, jam krenar për ta. Ishte jashtëzakonisht emocionuese. Sigurisht, jam i lumtur që shënova gol, por dua të përgëzoj shumë të gjithë ekipin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit