Juventus-Napoli, test i rëndësishëm se kush mund të jetë anti-Interi për titull

21 Shtator 2024
18:03
Alfred Lleshi
back button

Juventus-Napoli nisi zyrtarisht jashtë fushe, nga konferencat paraprake për shtyp, ku dy trajnerët u përpoqën të largonin presionin e pashmangshëm nga supet e lojtarëve. Realiteti është se ndeshja e kësaj të shtune në “Allianz Stadium”, edhe nëse arrin vetëm javën e pestë të kampionatit, mund të shënojë kthesën e parë të rëndësishme për të dyja skuadrat.

Një sukses i mundshëm, ndoshta edhe bindës nga këndvështrimi i lojës, do të jepte më shumë besim dhe vetëvlerësim te projektet e lindura këtë verë. Dhe në fakt kandidatura përfundimtare e Juventusit apo Napolit mund të avancojë si rivali kryesor i Interit në garën e “Scudettos”.

JUVE DHE NAPOLI, DY NIVELE TË NDRYSHME?
Antonio Conte, siç u përmend, e “postoi” të gjithë presionin te Thiago Motta, në konferencën e mbajtur të enjten. Sipas trajnerit salentin, në fakt, Napoli dhe Juventus do ta nisnin nga “dy nivele të ndryshme”, duke qenë se sezonin e kaluar blutë e mbyllën 18 pikë pas bardhezinjve. Kjo, padyshim nuk do të thotë që Conte ndihet i mundur që në fillim, pa u luajtur ende ndeshja, përkundrazi.

Trajneri e di mirë që ka një ekip absolutisht konkurrues në duart e tij dhe kërkon të përfitojë maksimalisht nga fakti që nuk luan në Kupat e Europës. Një detaj që nuk duhet anashkaluar aspak në një sezon stresues si ai që sapo ka nisur për Juventusin dhe të tjerët. Gjithashtu, sepse Conte ka treguar tashmë në të kaluarën se di ta bëjë këtë…

NAPOLI NUK MUND TË FSHHET
Tri fitoret radhazi nuk duhet të jenë shumë “mashtruese”. Rruga e Napolit të ri është ende e gjatë dhe e përdredhur. Edhe sepse ndaj Parmës suksesi erdhi pas një rpërmbysjeje dhe me kundërshtarët pa portier, ndërsa ndaj Cagliari, skuadra e Contes vuajti për një kohë të gjatë, para se të çlirohej.

Njëkohësisht, tashmë janë evidente shenjat e rritjes në krahasim me sezonin e kaluar, sidomos në aspektin karakteristik. Për të qenë të qartë, Napoli i sezonit të kaluar vështirë se do të kishte dalë me 6 pikë nga dy ndeshjet e fundit të Serie A. Nëse gjithë kësaj i shtojmë edhe merkaton e transferimeve që bëri De Laurentiis-Manna, për t’i dhënë Contes lojtarët që kishte kërkuar, Napoli nuk mund të fshihet absolutisht.

AMBICIET E JUVENTUSIT
Thiago Motta, nga ana e tij, iu përgjigj njëlloj deklaratave të Contes të premten, duke nënvizuar se cilat janë objektivat reale të Napolit: “Një skuadër e ndërtuar për të synuar titullin. Jo shumë kohë më parë e fitoi titullin, luajti futboll të jashtëzakonshëm, për të u fol në mbarë botën”.

Gjithçka e vërtetë, në rregull. Ashtu siç është e vërtetë, në të njëjtën kohë, se pak ka mbetur nga ai Napoli i Spallettit dhe mbi të gjitha shumë ka ndryshuar tani, nga pankina në fushë. Një “revolucion” që efektivisht bashkon dy skuadrat, duke qenë se projekti i ri sapo ka filluar edhe te Juventusi.

Megjithatë, investimet dhe ambiciet e klubit bardhezi nuk lejojnë askënd të presë shumë. Pa harruar se si, sezonin e kaluar, e mbylli vetëm me një trofe. Dhe në fakt bëri pa ndihmën e merkatos, ndryshe nga sa ndodhi kësaj vere.

JUVE OSE NAPOLI, RIVALI ANTI INTER
Me pak fjalë, ndjesia është se të dy trajnerët e dinë se si ndeshja e sotme në “Allianz Stadium” mund të shënojë një pikë të parë të rëndësishme në sezonet e tyre përkatëse. Bardhezinjtë, të cilët vijnë nga një fitore e madhe në Champions League ndaj PSV-së, kanë vuajtur shumë në dy sezonet e fundit të kampionatit, veçanërisht në fazën e sulmit.

Në këtë kuptim, të luash kundër skuadrës së Contes premton të jetë një test shumë i vështirë, i cili nëse kalohet mund ta çojë Juventusin në një dimension tjetër. Në të njëjtën kohë, Napoli deri më tani është përballur gjithmonë me kundërshtarë, të paktën në letër, të cilët janë padyshim më pak të kompletuar.

Një sukses kundër Juventusit, pra, do të vërtetonte statusin e sapogjetur të Napolit si emër i madh, që ndoshta do ta nominonte për rolin e antagonistit kryesor të Interit. E thënë ndryshe, kjo ndeshje është njëlloj “ekzaminimi” për dy, saktësisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit