Rekordi historik në derbi dhe fundosja e “Djallit” në krizë, çfarë mundësie unike për Interin

21 Shtator 2024
18:15
Alfred Lleshi
back button

Nuk do të ndodhë më, të paktën jo si tani. Interi përgatitet për derbin me forca të plota, me përjashtimin e vetëm Tajon Buchanan (i dëmtuar). Federico Dimarco, i rikthyer nga lëndimi, duket i destinuar të luajë titullar ndaj Milanit.

Pas kthimit (me vonesë) nga Manchesteri, skuadra e Simone Inzaghit përfitoi gjysmë dite pushim dhe më pas u rikthye dje në fushë, në “Appiano Gentile”. Vetë trajneri zikaltër i ka të qarta gjërat për derbin e planifikuar për nesër, në orën 20:45. Nuk do të jetë i fundit në “San Siro”, sido që të shkojë historia e stadiumit në fjalë, por gjithsesi është një mundësi unike.

Interi dëshiron rekordin. Kampionët e Italisë arrijnë në ndeshjen kundër Milanit me forcën e 6 fitoreve radhazi në Serie A dhe Champions League. Një alternim perfekt që e çoi Interin në “Olimp” dhe rrëzoi nga stoli kuqezi Stefano Piolin, i cili gjithashtu pagoi humbjet e shumta kundër rivalëve të qytetit.

Të dyja skuadrat kanë arritur nga 6 fitore radhazi në derbi, Milani dy herë (nga 1911 më 1913 dhe nga 1946 më 1948). Megjithatë, askush në historinë e kësaj ndeshjeje, të luajtur 239 herë në mënyrë zyrtare, nuk ka arritur në 7 fitore radhazi.

Objektivi zikaltër nuk shikon vetëm historinë, pra për të shkuar i pari në 7 fitore radhazi në derbi, por edhe të ardhmen. Milani nuk është aq i varfër sa dukej në ndeshjet e para të këtij kampionati, i ka të gjitha cilësitë për t’u rikthyer në garë me objektivin titull.

Një humbje në derbi, megjithatë, me shumë gjasa do të shënonte fundin e epokës së shkurtër të Paulo Fonseca, do ta bënte të pashmangshme përballjen me drejtuesit, ndoshta edhe ndërprerjen e kontratës. Ka nga ata që kanë shkruar për një luftë të brendshme pushteti brenda klubit. Mund të jetë kështu, ashtu siç nuk përjashtohet që kjo krizë të mund ta rindezë “Djallin”. Sidoqoftë, nëse dyshoni, Interi ka çdo qëllim që ta fundosë “kushëririn” ndërqytetas.

Dumfries është dyshimi i vetëm i formacionit te zikaltrit. Holandezi është shumë pranë rinovimit, për të cilin mungon vetëm konfirmimi zyrtar. Këtë sezon nuk ka qenë asnjëherë titullar, krahasuar me pesë startet e Darmian. A do ta nisë nga stoli edhe në derbi? Këtë rrrezik nuk mund ta konsiderojmë më një rastësi, por zgjedhje tekniko-taktike.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit