A është në rrezik Botërori i ri për Klube? Kaos total me organizimin e kompeticionit 2025 në SHBA

27 Shtator 2024
8:10
Alfred Lleshi
back button

E kemi shkruar prej muajsh, Kupa e Botës për Klube, e planifikuar për verën e vitit 2025 është një nga ngjarjet më të shumëpritura. Kompeticioni i ri i futbollit, i mbështetur fuqishëm nga FIFA, do të luhet në SHBA nga data 15 qershor deri më 13 korrik të vitit të ardhshëm.

Në fakt, deri më sot, për datat dhe skuadrat pjesëmarrëse nuk ka siguri të plotë. Aq sa disa spekulojnë se gara në fjalë mund të “shembet” në mënyrë dramatike. Ose të paktën të shtyhet.

Një nga çështjet kryesore, sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, ka të bëjë me caktimin e të drejtave televizive. “Apple” tërhoqi kandidaturën e saj, kështu që FIFA shpalli një tender për vende të cilat, megjithatë, sipas disa burimeve mediatike, praktikisht ishin të braktisura.

Deri më sot, me pak fjalë, Kupa e Botës për Klube nuk ka mbulim televiziv. Për rrjedhojë nuk do të siguronte të ardhurat e pritshme për klubet pjesëmarrëse. Megjithatë, caktimi i të drejtave televizive nuk është pengesa e vetme në rrugën drejt Kupës së re të Botës për Klube.

Për momentin nuk dihen ende stadiumet që duhet t’i presin ndeshjet dhe rrjedhimisht as oraret në të cilat do të luheshin. FIFA priste të fitonte deri në 4 miliardë dollarë nga Kupa e Botës për Klube, por pa siguri maksimale, sponsorët nuk po investojnë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, muajt e fundit lojtarët dhe trajnerët e skuadrave të mëdha nuk i kanë fshehur dyshimet mbi mundësitë fizike për ta luajtur këtë lloj kompeticioni në fund të një sezoni tashmë rraskapitës.

Veçanërisht Carlo Ancelotti ishte shumë i ashpër, edhe pse trajneri i Real Madridit i korrigjoi më vonë deklaratat e tij. “FIFA ta harrojë, lojtarët dhe klubet nuk do të marrin pjesë në atë kompeticion”, – deklaroi ai për “Il Giornale”.

Duhet të jenë 32 skuadra, që do të marrin pjesë në Kupën e re të Botës për Klube, të ndara fillimisht në 8 grupe me nga 4 skuadra. Formati luhet me nga një ndeshje të vetme. Dy skuadrat e para nga secili grup do të kalojnë në 16-she.

Faza e eliminimit direkt do të jetë me nga një ndeshje të vetme, nga 1/8 finale deri në finale. Nuk ka “play-off” për vendin e tretë. Europa ka 12 skuadra përfaqësuese, nga të cilat 4 vende janë të rezervuara për fituesit e 4 edicioneve të fundit të Champions League. Chelsea, Real Madrid dhe Manchester City tashmë janë kualifikuar në këtë kompeticion të ri.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit