Njeriu i ndeshjes, rekord për Rangers dhe pjesë e top-formacionit, Bajrami shkëlqen në Ligën e Europës

27 Shtator 2024
10:33
Alfred Lleshi
back button

Transferimi i tij nga Serie A në elitën e futbollit skocez ishte disi i papritur, por megjithatë ka një fillim mjaft pozitiv. Nedim Bajrami debutoi mbrëmë në mënyrë perfekte me Rangers, në “Europa League”. Numri 10 i kombëtares sonë kuqezi shënoi njërin nga golat, në fitoren 2-0 të të tijve në transfertën e Malmo.

Duke folur pas kësaj sfide europiane, Bajrami u shpreh: “Ishte shumë e veçantë për mua të shënoja dhe ta ndihmoja ekipin me gol. Ne duhet të ecim përpara me këtë ritëm, sepse shumë ndeshje na presin. Jam shumë krenar për këtë gol. Bëmë presing të mirë, topi erdhi tek unë dhe shënova”.

Ky ishte goli i parë i tij me fanellën e Rangers, i pari që nga goli historik ndaj Italisë në Europian, më i shpejti në atë kompeticion, që erdhi pas vetëm 24 sekondash lojë. Bajrami është jo vetëm një specialist i golave të shpejtë, por gjithashtu ka vendosur rekorde, duke thyer një të tillë që kishte mbetur i paprekur nga viti 1998.

26 vite më parë, Gennaro Gattuso shënoi në minutën e parë për Rangers në një kompeticion europian, ndërsa mbrëmjen e djeshme, Nedim Bajrami shënoi për 55 sekonda. “Sofascore”, sajti i specializuar në nxjerrjen e statistikave të futbollistëve, e ka përfshirë Bajramin në formacionin më të mirë të kësaj xhiroje të Ligës së Europës.

Në top-ekipin e javës zgjidhen lojtarët më të vlerësuar në pozicione të caktuara për një xhiro (raund) të caktuar. Bajrami rezultoi vendimtar në fitoren 2-0 të skuadrës së tij, Glasgow Rangers në fushën e Malmo. Mesfushori shqiptar me të drejtë u zgjodh njeriu i kësaj ndeshjeje me notën më të lartë 8.9.

Image

Lajme të tjera

Lajmet e fundit