Në prag të ndeshjes së parë miqësore verore të Juventusit ndaj FC Basel, trajneri bardhezi Luciano Spalletti doli në konferencë për shtyp për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi temat më të nxehta të kësaj vere, nga merkatoja deri te objektivat për të ardhmen.
Si kanë shkuar këto ditët e para të punës?
Kam gjetur një skuadër të vetëdijshme se nuk i arriti objektivat e sezonit të kaluar, por njëkohësisht të bindur se mund t’i arrijë ato në të ardhmen. Kemi pasur ulje-ngritje, por mund të punojmë mbi mangësitë tona.
Si i keni përjetuar këto ditë, duke pasur parasysh edhe ndryshimet e shumta në klub?
Unë mendoj vetëm për punën time. I kam përjetuar këto javë me keqardhje për atë që nuk arritëm të realizonim. Kam menduar vetëm për organizimin e fazës përgatitore, në mënyrë që të bëjmë një rrugëtim më të mirë. Të dish të futesh sërish në garë është gjëja më e rëndësishme. Juventusi nuk është ndërtuar për të ndjekur të tjerët.
A besoni se Juventusi i së ardhmes do të ketë nevojë për lojtarë më të guximshëm dhe me më shumë eksperiencë?
Skuadra ka nevojë të përforcohet, të rritet në cilësi, në disa pozicione edhe të plotësohet. Duhet bërë një punë e thellë, duke qenë të vetëdijshëm se vështirësitë mund të vijnë edhe nga afatet kohore të diktuara nga Kupa e Botës. Objektivisht kemi disa vështirësi, por merkatoja është e gjatë dhe ka ende kohë. Gjithsesi, të gjithë jemi në një linjë për rrugën që duhet të ndjekim.
A nis Juventusi këtë sezon me objektiva më të larta?
Duhet patjetër të përmirësojmë shumë gjëra. E para është të arrijmë të kemi gjithmonë të njëjtin nivel në sjellje dhe në paraqitje. Nëse jemi në kushtet e duhura, mund të garojmë për katër vendet e para dhe për kreun e renditjes, por duhet të jemi të zotë dhe të mos gabojmë asgjë. Ndoshta jemi ende shumë larg luftës për titull.







