Ancelotti, para derbit: Atlético Madridi, ashtu si ne dhe Barcelona do të synojë titullin

28 Shtator 2024
14:27
Alfred Lleshi
back button

Carlo Ancelotti dha konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme kundër Atlético Madridit, të cilin e konsideron favorit për ta fituar La Liga-n së bashku me Barçën dhe ekipin e tij. Trajneri italian thotë se i kupton ankesat e rivalit, se kishte më pak kohë se ata për t’u përgatitur për ndeshjen derbi, ndërsa nënvizon se duhet t’i shmangin gabimet e sezonit të kaluar, për të mos dështuar sërish ndaj rivalëve ndërqytetas. Ai shpreson që Vinicius ta fitojë “Topin e Artë”, pranon se kanë folur në dhomat e zhveshjes për shmangien e protestave të panevojshme, të cilat “përkthehen” në kartonë të verdhë.

Ndeshja e nesërme: “Atletico Madridi është gjithmonë një rival i madh, kjo nuk do të ndryshojë. Do të jetë një sfidë argëtuese, e luftuar, sepse ka shumë cilësi në të dyja skuadrat. Me siguri do të ketë spektakël”.

Kartonët për protesta ndaj arbitrave: “Kemi folur, po, sepse e vetmja mënyrë është t’i shmangim protestat e panevojshme”.

Si është Camavinga: “Ai është i disponueshëm dhe për këtë arsye mund të luajë 90 minuta, por edhe zero minuta. Varet nga zgjedhjet e mia si trajner për këtë bndeshje”.

Të luash pa Mbappe: “Pa Kylian ndryshon pak, por jo shumë. Është mëkat që nuk do të luajë dot në këtë derbi, por mund ta zëvendësojmë mirë. Jemi mësuar të luajmë edhe pa të”.

Atmosfera kundër Vinicius: “Nesër do të jetë një shfaqje argëtuese, skuadrat do t’i përdorin të gjitha cilësitë e tyre për të fituar e lumturuar tifozëritë respektive”.

Ankesat e Atlético Madridit për më pak ditë përgatitje para derbit: “I kuptoj, sepse edhe neve na ka ndodhur të përgatitemi në mungesë kohe nga kundërshtari”.

Si është Atletico Madridi: “Unë mendoj se janë përmirësuar, përveç gabimit në fund, në ndeshjen e kaluar. Kanë qenë një ekip më mbështetës, më efektiv, ndaj nesër është një test shumë i rëndësishëm për ne”.

Derbi special: “Është gjithmonë i veçantë, mendoj se Atlético Madridi është përmirësuar shumë, ka nënshkruar me lojtarë të mirë. Do të luftojnë deri në fund për titullin e La Liga-s në këtë sezon, bashkë me ne dhe Barcelonën”.

Vizita në “Metropolitano”: “Çdo ndeshje ka historinë e saj. Parashikimi i asaj që do të ndodhë nesër është i komplikuar. Ne kemi një plan dhe do të shohim nëse do të funksionojë”.

Vinicius, fitues i “Topit të Artë”: “Unë mendoj se do ta fitojë, por nëse jo, asgjë nuk ndodh. Do të vazhdojmë përpara, ashtu si edhe ai, por mendoj se e meriton këtë vit”.

Makthi i të luajturit në “Metropolitano”: “Është një stadium shumë i komplikuar, ne duhet të përmirësohemi për të fituar. Është e qartë se duhet t’i shmangim gabimet e sezonit të kaluar. Ky mësim mund të jetë i mirë për ndeshjen e nesërme”.

Disa tifozë të Atletico Madridit mbajnë maska ​​për të fshehur thirrjet raciste: “Nuk folim për këtë, jemi të fokusuar te fitorja. Është diçka që nuk na shqetëson. Nëse ndodh, institucionet e tjera duhet të merren me këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit